Ukrainë: Konfirmohet arrestimi i personit që ka planifikuar sulm në Francë

Evropë

Ukrainë: Konfirmohet arrestimi i personit që ka planifikuar sulm në Francë

Më: 4 qershor 2016 Në ora: 15:00
Roja kufitare e Ukrainës

Roja kufitare e Ukrainës ka konfirmuar një raport të mediave se një francez, i cili ka pasur armatim të fshehtë dhe materiale eksploduese, të cilat dyshohet se ka planifikuar t’i përdorë për një sulm në Francë, është arrestuar në kufirin e Ukrainës me Poloninë, në fund të muajit të kaluar.

Transmetuesi francez, M6, ka raportuar dje se personi 25 vjeçar ishte arrestuar nga kufitarët e Ukrainës me një arsenal të armatimit dhe materialit eksplodues, përfshirë lansues të raketave dhe pushkë automatike të tipit Kalashnikov, në makinën e tij.

Zëdhënësi i Rojes kufitare të Ukrainës, Oleh Slobodyan, sot e ka konfirmuar arrestimin e personit të dyshuar.

Një zëdhënëse e shërbimit të sigurisë së Ukrainës ka refuzuar të bëjë komente.

Sipas agjencisë Reuters, ky person ende po mbahet nga autoritetet e Ukrainës, në pritje të kërkesës së mundshme për ekstradim nga Franca.

Raporti i rrjetit M6 thotë se ai kishte planifikuar sulm në Paris, megjithqë janë paraqitur pak detaje të tjera.

Zyrtarët e sigurisë në Evropë janë në gjendje të alarmit të lartë, pas vrasjes së 130 vetëve në Paris, në muajin nëntor, nga persona të armatosur, dhe sulmeve vetëvrasëse në aeroportin dhe metron e Brukselit në Belgjikë, me ç’rast ishin vrarë 32 vetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat