BE: Turqia nuk mund të kthejë dënimin me vdekje

Evropë

BE: Turqia nuk mund të kthejë dënimin me vdekje

Më: 18 korrik 2016 Në ora: 14:08
Federica Mogherini

Bashkimi Evropian i ka kujtuar Turqisë se duhet të veprojë në përputhje me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të mos e rikthejë ndëshkimin me vdekje.

“Asnjë vend nuk mund të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian nëse zbaton dënimin me vdekje”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Mogherini iu përgjigj kërkesës së gazetarëve në Bruksel për të komentuar spekulimet se Turqia mund të ekzekutojë organizatorët e grushtshtetit të dështuar më 15 korrik.

Mogherini tha se Turqia është anëtare e Këshillit të Evropës dhe nënshkruese e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ndalon dënimin kapital në gjithë kontinentin.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se ekziston mundësia që në këtë vend të kthehet dënimi me vdekje pas përpjekjes për grushtshtet nga një pjesë e ushtrisë së vendit.

Autoritetet turke tashmë kanë arrestuar mbi 7,500 veta, në mesin e tyre ushtarakë të lartë dhe gjykatës, nën dyshimet se kanë organizuar puç.

Qeveria tha të hënën se 208 njerëz, përfshirë 145 civilë, janë vrarë në dhunë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat