Francë: Moment i heshtjes në nderim të viktimave në Nicë

Evropë

Francë: Moment i heshtjes në nderim të viktimave në Nicë

Më: 18 korrik 2016 Në ora: 17:32
Turma e njerëzve duke duartrokitur pas momentit të heshtjes sot në Nicë në nderim të viktimave të sulmit me kamion

Në gjithë Francën sot në mesditë është mbajtur një moment i heshtjes për t’i nderuar viktimat e sulmit me kamion në Nicë.

Një numër i madh i njerëzve janë tubuar në shetitoren e Nicës, vetëm disa ditë pasi sulmuesi me kamion i goditi këmbësorët, derisa ata e shënonin Ditën e Bastijës, që është festë kombëtare në Francë.

Gjatë këtij sulmi janë vrarë 84 vetë dhe plagosur afro 300 të tjerë.

Tubime të tilla janë mbajtur edhe në shumë qytete të tjera, me ç’rast momenti i heshtjes është shoqëruar me rënie të këmbanave nëpër kisha.

Kryeministri i Francës, Manuel Valls, është pritur me fishkëllima dhe brohoritje “dorëheqje” derisa arriti dhe u largua nga shetitorja në Nicë, që ishte shenjë e zemërimit, që e ka përfshirë Francën, pas sulmit të tretë madhor terrorist në 18 muajt e fundit.

Hetuesit francezë ende po përpiqen të gjejnë lidhje ndërmjet sulmuesit, Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, tunizian 31 vjeçar, dhe grupit esktremist, Shteti Islamik, i cili e mori përgjegjësinë për këtë masakër, i tha Radios franceze RTL, ministri i brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve.

Sot gjashtë vetë janë të arrestuar, përfshirë një shqiptar 38 vjeçar, i dyshuar se e ka furnizuar sulmuesin Bouhlel me revole, të cilën ai e ka përdorë për të shtënë kundër policëve gjjatë sulmit, raporton agjencia AFP nga Nica.

Agjencia tjetër, AP, raporton se sipas një zyrtari në Zyrën e prokurorisë në Paris, në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, që me kombësi është shqiptar, hetuesit kanë gjetur telefona dhe kokainë.

Ata nuk kanë elabourar lidhur me raportet eventuale ndërmjet të dyshuarit dhe sumuesit Bouhlel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat