Reagime të dëshmitarëve dhe banorëve pas sulmit në Mynih

Evropë

Reagime të dëshmitarëve dhe banorëve pas sulmit në Mynih

Më: 23 korrik 2016 Në ora: 15:39
Pas sulmit

Ndërsa njerëzit vendosnin lule pranë qendrës tregtare ku ndodhi masakra në Mynih, dëshmitarët përshkuajnë momentet e tmerrit që përjetuan. Policia gjermane bastisi herët në mëngjes banesën e autorit të sulmit, ndërsa fqinjët flasin për një familje të rregullt që nuk ka shkaktuar probleme.

Njerëzit vendosin lule dhe qirinj pranë qendrës tregtare ku mbrëmë u vranë nëntë persona. Sulmuesi 18-vjeçar gjermano-iranian u gjet më pas i vrarë dhe mendohet se ka qëlluar veten.

Dardan Hassan u ndodh në qendrën tregëtare kur ndodhi sulmi:

“Përjetova momente të tmerrshme. Pashë një masakër të përgjakshme me trupa të shtrirë në tokë. Pashë një djalosh të plagosur që më thoshte se nuk dua të vdes dhe fola me të jëmën e tij në telefon... Jam i frikësuar për familjen time pasi unë jetoj këtu pranë.”

Ndërsa Bayri Hidayet mori një mesazh video nga i biri i përgjakur, ku e njoftonte të mos vinte tek qendra tregtare:

“Më lajmëronte që të mos shkoja në ndërtesë, ndërkohë që ishte i shtrirë në tokë dhe dikush qëllonte me armë. Kur arrita atje pashë trupat e tetë të rinjve.”

Ndërkohë, policia gjermane hyri në orët e para të mëngjesit në apartamentin në lagjen Maxvorstadt të Mynihut, ku jetonte autori i sulmit me prindërit e tij.

Fqinjët thonë se ai nuk pati tërhequr vëmendjen e askujt dhe se familja e tij janë njerëz të rregullt:

“Nuk na ka rënë në sy për diçka. Babai i tij është shofer taksie, si im atë, dhe përshëndet gjithnjë me korrektesë. Në asnjë nga bisedat nuk kam dëgjuar ‘Allahu Akbar’, apo gjëra të ngjashme fetare. Mendoj se mund të jetë një rast i lidhur me probleme psiqike.”

Policisë gjermane i duhet tashmë të përcaktojë motivin e sulmuesit, si dhe mënyrën se si ai arriti të kishte një armë.

Sipas Librarisë së Kongresit në Shtetet e Bashkuara, Gjermania është një ndër vendet me rregullat më të forta për armët në Evropë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat