Detaje të reja rreth autorit të sulmit në Mynih

Evropë

Detaje të reja rreth autorit të sulmit në Mynih

Më: 24 korrik 2016 Në ora: 07:33
David Ali Sonboly

Një 18-vjeçar gjermano-iranian, i identifikuar si David Ali Sonboly, i cili hapi zjarr në një qendër tregtare të Mynihut duke marrë jetën e nëntë personave dhe duke plagosur disa të tjerë, ka qenë sipas zyrtarëve gjermanë i “fiksuar” me vrasjet në masë.

Hetuesit thanë se gjatë kontrollit në apartamentin e tij nuk u gjetën lidhje të qarta me terrorizmin, por besojnë se sulmi ishte një sulm tipik të shtënash me furi. Ata përmendën se në dhomën e tij u gjet një libër i titulluar “Tërbim në mendje – përse vrasin studentët”.

Hetuesit gjithashtu thanë se sulmi nuk ka lidhje me valët e fundit të azilkërkuesve, që ka qenë pjesë e debatit të nxehtë në Gjermani.

Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, përmendi se provat tregojnë që autori pati studiuar një sulm me armë ndaj një shkolle në Gjermani në vitin 2009, si dhe sulmin në Norvegji të Anders Behring Breivik, i cili vrau 77 persona pesë vjet më parë, në të njëjtën ditë.

Zoti de Maiziere tha gjithashtu se nuk ka tregues për lidhje me terrorizmin ndërkombëtar.

Autoritetet po vazhdojnë të hetojnë motivin e sulmit, dhe Ministri de Maiziere konfirmoi se hetuesit po shqyrtojnë edhe të dhëna se sulmuesi është përqeshur nga bashkëmoshatarët e tij.

Ai informoi se sulmuesi pati përdorur një profil të rremë në Facebook për të joshur njerëzit që të shkonin tek restoranti McDonald’s, duke u ofruar zbritje në çmime.

Të gjithë të vrarët ishin banorë të Mynihut dhe shumica ishin adoleshentë.

Të paktën 16 persona, ndër ta edhe fëmijë, gjenden në spital, tre prej tyre në gjendje të rëndë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat