Hungaria do të ndërtojë një tjetër mur në kufi me Serbinë

Evropë

Hungaria do të ndërtojë një tjetër mur në kufi me Serbinë

Më: 26 gusht 2016 Në ora: 16:17
Kufiri Hungaria-Serbi

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban është shprehur se shteti hungarez nuk ka ndërmend të lejojë kalimin e emigrantëve përgjatë kufirit jugor me Serbinë. Ai informoi se në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë do të ngrihet një mur i dytë, paralel me të parin, që u ndërtua gjatë vitit të shkuar. Orban tha se kjo masë ka për qëllim parandalimin e valës së madhe të emigrantëve që mbërrijnë në Hungari. Ai ka shtuar se ka ndërmend të rrisë stafin e policëve që shërbejnë në kufi.

Hungaria ka ndërmend që nga 44 000 policë që ka aktualisht në kufirin serbo-hungarez, ta çojë numrin në 47 000, raporton RT. Kreu i ekzekutivit ka pasur edhe një mesazh për emigrantët. Ai theksoi se nëse ata nuk ikin me fjalë, atëherë do të përdoret edhe dhuna. Viktor Orban vlerësoi se kjo masë e shtetit që ai drejton vjen në kohën që pakti mes BE-së dhe Turqisë për emigrantët, thuajse po dështon. Për Orban, skema e përgatitur nga BE-ja dhe Turqia mund të hapë rrugët ballkanike për të dyja vendet. Qeveria në Budapest është shprehur paraprakisht se nuk është dakord me planin e masave të përgatitur nga Bashkimi Evropian. Kreu i qeverisë së Hungarisë tha se vendi i tij nuk do të strehojë emigrantë.

Sipas planit të përgatitur nga ana e Bashkimit Evropian, masa e ardhur e emigrantëve nga kontinentet e tjera të Evropës, do të shpërndahet në mënyrë proporcionale mes vendeve. Kjo çështje është dërguar për referendum, i cili do të mbahet më datë 2 tetor 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat