Trendi politik në Gjermani - Refugjatët "supertemë“

Evropë

Trendi politik në Gjermani - Refugjatët "supertemë“

Më: 4 shtator 2016 Në ora: 13:15
Merkel

Një sondazh i ri tregon atmosferën në Gjermani, një vit pas fjalisë së famshme të Merkelit "Ne mund t'ia dalim mbanë“. Rezultati: Prestigji i Merkelit në rënie. Një parti është përfituese. Për burkën ka qëndrim të qartë.

Për Angela Merkelin dhe partinë CDU atmosfera në vend mbetet kritike. Këtë e bëri të qartë një sondazh i institutit për studimin e opinionit publik, „Infratest Dimap“. Gjendja mbetet kritike, edhe pse ministrat e Brendshëm të CDU-së, e ngritën lart në axhendën politike temën shumë popullore, „sigurinë e brendshme“- me shpresën se mund të rifitonin votat e humbura. Ndalimi i burkës, shtetësisë së dyfishtë, më shumë polici, dëbim më të shpejtë - të gjitha tema të diskutuara nga ministrat e unionit, edhe me prezencë mediatike madje. Tek partia populiste, AfD po fërkojnë sytë, a nuk ishin këto kërkesat e tyre që ata i kishin bërë para disa muajsh?

Por CDU nuk ka përfituar nga kjo përpjekje e re për të fituar zemrën e elektoratit. Partia e ka humbur edhe një pikë duke rënë në kufirin e 33%-it. Me sa duket besimi i humbur tek votuesit nuk rifitohet shpejt. Ndërsa AfD, partia populiste e djathtë mund të gëzohet për dy pikë shtesë në renditje. Ajo ka lënë pas Të Gjelbrit duke u kthyer në partinë e tretë më të fortë në Gjermani.

Megjithatë shumica e gjermanëve i besojnë më shumë CDU-së, për zbatimin e një politike azili dhe refugjatësh. Në të njëjtën kohë, është mjaft i lartë numri i atyre që në këtë çështje nuk i besojnë asnjë partie, 27%. Vetëm 7% i besojnë AfD-së në këtë pikë, një parti që nuk ka pasur kompetenca qeverisëse.

Shumica për ndalimin e mbulimit të plotë të femrës

Në çështjen e burkës, ministrat e Brendshëm ranë dakord për një „ndalim të pjesshëm“. Kjo do të thotë, se kudo në publik, aty ku personat duhet të jenë të identifikueshëm, si në përdorimin e transportit urban, në gjykata, shkolla apo demonstrate - ndalohet mbulimi i plotë i femrave myslimane. Sipas sondazhit të “Infratest dimap” qytetarët kërkojnë më shumë, sepse çdo i dyti gjerman kërkon ndalimin e plotë të burkës, si në Francë apo Belgjikë. Një e treta mbështet modelin e miratuar nga ministrat e Brendshëm. Kundër ndalimit shprehen vetëm 13% e të anketuarve.

Image

Mandat i katërt për Merkelin?

Ka edhe një vit kohë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Gjermani, ku zgjidhet edhe kancelarja apo kancelari i ri. Deri më tani, Angela Merkel nuk përgjigjet drejtpërdrejt lidhur me këtë pyetje. Por ndryshe nga votimet e fundit, ajo nuk është më popullore. Në renditjen e politikanëve më të preferuar ajo zë vendin e gjashtë. Gjysma e gjermanëve nuk e do më Merkelin kancelare për herë të katërt.

Por brenda partisë së saj, Merkel ende ka mbështetje të fortë. Tek partia simotër mbështetja është lëkundur shumë. Edhe për koalicionin që dëshiron Merkeli, bashkimin e Unionit me të Gjelbrit premisat nuk duken fort të mira. Sipas rezultateve të sondazheve, partitë e unionit dhe Të Gjelbrit nuk do ta arrinin aktualisht shumicën e duhur për të qeverisur.

Image

Ulje taksash! Shumë vetë nuk e duan!

Megjithë zërat paralajmërues, gjendja ekonomike në Gjermani mbetet shumë e mirë: punë ka, arkat e sigurimeve sociale janë të mbushura, të ardhurat tatimore janë në nivele rekord. Por kur "Infratest Dimap" pyet se ç'duhet bërë me këto të ardhura, 58% e të anketuarve janë për t'i investuar paratë në infrastrukturë. Vetëm 16% e gjermanëve duan lehtësime tatimore. Me sa duke gjermanët janë të kujdesshëm dhe të interesuar për të mbajtur mirë pronën e përbashkët. Megjithë përpjekjen e partive kryesore CDU/CSU dhe SPD-së për të sjellë në lojën politike ulje tatimesh, duket se kjo temë nuk u intereson qytetarëve. Refugjatët mbeten super tema në Gjermani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat