Partia e Putin fiton thellë në zgjedhjet e dyshimta

Evropë

Partia e Putin fiton thellë në zgjedhjet e dyshimta

Më: 19 shtator 2016 Në ora: 15:36
Ilustrim

Me 93 për qind të votave të numëruara, rezultatet zyrtare tregojnë se partia në pushtet, Rusia e Bashkuara, do të fitojë më shumë se 340 nga 450 ulëset në Dumën Shtetërore, që janë të mjaftueshme për të siguruar dy të tretat e shumicës në dhomën e ulët të parlamentit të Rusisë.

Rezultatet preliminare të shpallura sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tregojnë se Rusia e Bashkuar ka fituar më shumë se 54.28 për qind të votave. Kandidatët nga Rusia e Bashkuar, parti kjo që mbështetet nga presidenti rus, Vladimir Putin, gjithashtu janë duke kryesuar në zgjedhje për 225 ulëse në elektorate individuale.

Për dallim nga dy zgjedhjet e fundit parlamentare, vetëm gjysma e vendeve të deputetëve do të selektohen nga lista kombëtare partiake, ndërsa 225 vende të tjera do të përcaktohen në votimet që mbahen në rajonet specifike.

Kryesuesja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Ella Pamfilova, tha se partia Rusia e Bashkuar është në rrugë për t’i fituar 140 vende në Dumën Shtetërore nga lista partiake dhe 203 vende të tjera nga elektoratet individuale.

Vetëm edhe tri parti duket se do të kalojnë pragun zgjedhor prej pesë për qind. Që të gjitha partitë që pritet ta kalojnë pragun janë besnike ndaj Kremlinit. Këtu përfshihen Partia Komuniste me 13.45 për qind të votave, partia ultranacionaliste Liberal-demokrate e Rusisë, me 13.24 për qind, dhe partia ‘Vetëm Rusia’ me 6.17 për qind.

Në zgjedhjet e 18 shtatorit votuan 47.81 për qind e votuesve, shifër kjo shumë e vogël krahasuar me zgjedhjet e vitit 2011, ku dalja në zgjedhje ishte mbi 60 për qind.

Autoritetet po vëzhgojnë nga afër shenjat e pakënaqësisë dhe trazirave, derisa vendi po lufton me një ekonomi që po çalon nga çmimet e ulëta të naftës, sanksionet perëndimore, inflacioni në rritje dhe rënia e investimeve të huaja.

Presidenti Putin ka përshëndetur rezultatet dhe në selinë e zgjedhjeve të Rusisë së Bashkuar u ka thënë deputetëve se votat e fituara ishin votë e besimit.

“Skeptikët mund të thotë se gjërat nuk janë duke shkuar si duhet. Por, thjesht askush nuk ka punuar më mirë se (partia Rusia e Bashkuar). Por, ka edhe faktorë të tjerë që kanë kontribuar në këtë sukses. Unë besoj se suksesi është i lidhur me rritjen e vetëdijes politike të popullit tonë. Rritja e vetëdijes do të thotë se qytetarët kanë kuptuar se premtimet boshe nuk kushtojnë asgjë. Natyrisht se ka një dëshirë për jetë më të mirë, për tu rritur pagat, ka shumë dëshira. Por, çështja është se si të realizohen ato”, ka thënë Putin.

Ndërkaq, kryeministri Dmitry Medvedev ka falënderuar të gjithë qytetarët që kanë marrë pjesë në votime.

“Dua të falënderoj të gjithë qytetarët që kanë dalë në votime. Një pjesë e madhe e tyre kanë votuar për Rusinë e Bashkuar. Ne mund të themi se partia jonë ka fituar”, ka thënë Medvedev.

Por, Karina Mishulina nga Moska ka shprehur pakënaqësi me partinë e Putinit.

“Gjithë këto ligje, sistemi i edukimit është shkatërruar, ai shëndetësor po ashtu. Nuk ka para. Nëna ime merr pension të vogël. Çfarë të mire ka këtu? Ata kanë shtëpia, kështjella dhe shumëçka tjetër dhe ne – më falni- ne po vdesim urie”, ka thënë ajo.

"Të gjitha këto ligje, sistemi arsimor është shkatërruar, kujdesi mjekësor, gjithashtu. Nuk ka para. Mami merr lëmoshë për pensionin e saj," tha Mishulina. "Çfarë e mirë është atje? Ata kanë shtëpi, kështjella, dhe kështu me radhë, dhe ne - më falni - jemi të uritur".

Votimet për zgjedhjet parlamentare janë mbajtur edhe në gadishullin e Krimesë. Këto janë zgjedhjet e para të mbajtura atje që prej se Moska e aneksoi këtë territor nga Ukraina, më 2014. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mbajtja e zgjedhjeve në Krime është e jashtëligjshme, andaj nuk do të njoh rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

“Unë pres që këto zgjedhje do të sjellin ndryshime pozitive në vend, do të sjellin drejtësi për çdo person”, ka thënë Igor Khuana, i cili ka votuar në qytetin Sevastopol në Krime.

Shkelje të shumta

Zgjedhjet e 18 shtatorit janë përshkuar edhe me shkelje të shumta.

“Informacionet për shkelje kanë ardhur vazhdimisht nga rajone të ndryshme”, ka thënë Ilya Shablinsky, koordinator i vëzhguesve nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut.

Në mesin e shkeljeve, ai tregon se ushtarët kanë votuar në vendvotime ku nuk kanë qenë të regjistruar. Gjithashtu ka pasur raste kur njerëzit kanë votuar hapur dhe jo në kabinat e mbyllura të votimit.

Grupi monitorues i zgjedhjeve, Golos, gjithashtu ka thënë se ka pranuar ankesa për shkelje gjatë votimit.

Një video e postuar në YouTube tregon se si një punëtor zgjedhor në rajonin e Rostovit hedh disa fletëvotime brenda kutisë së votimit. Edhe një grua në Rostov-on-Don është filmuar duke votuar disa herë.

Më vonë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se në tre qendra të votimit janë mbushur kutitë e votimit dhe se rezultatet atje do të shpallen të pavlefshme.

Kremlini ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të monitorojë zgjedhjet. Më vonë kjo organizatë do të dalë me gjetjet për këto zgjedhje. Gjithsej 14 parti kanë garuar në zgjedhjet për Dumën Shtetërore. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat