Kancelarja Merkel pranon përgjegjësinë për humbjen në zgjedhje

Evropë

Kancelarja Merkel pranon përgjegjësinë për humbjen në zgjedhje

Më: 19 shtator 2016 Në ora: 23:50
Angela Merkel

Kancelarja gjermane Angela Merkel pranoi sot një pjesë të përgjegjësisë për humbjen e partisë së saj gjatë votimeve në kryeqytetin Berlin, dhe u zotua se nuk do të përsëritet më situata e vjetshme kaotike me hapjen e kufijve për refugjatët.

Megjithëse e mbrojti nga pikëpamja politike dhe etike vendimin për hapjen e kufijve të Gjermanisë për 1 milionë azilkërkues, me synim shmangien e një katastrofe humanitare, zonja Merkel pranoi se janë bërë gabime, të cilat do t’i shmangë në të ardhmen.

Ajo u shpreh se qeveria u gjet e papërgatitur gjatë verës së vitit 2015.

Partia e zonjës Merkel, Bashkimi Kristian Demokrat, u radhit forca e dytë politike në Berlin, me 17.6% të votave, duke arritur kështu rezultatin më të dobët historik në kryeqytetin gjerman.

Partia Social Demokrate fitoi 22% të votës. Si pasojë e këtyre rezultateve, dy partitë kryesore nuk kanë mbështetje e nevojshme për një koalicion qeverisës.

Partia anti-emigracion, Alternativa për Gjermaninë (AFD), fitoi mbështetje të mëtejshme duke kundërshtuar vendimin e vitit të kaluar të Kancelares Merkel për të mbajtur të hapur për refugjatët kufijtë e Gjermanisë. Megjithëse u radhit në vendin e pestë me 14% të votave, partia AFD e krijuar vetëm 3 vjet më parë, është e përfaqësuar në 10 nga 16 asambletë parlamentare të shteteve gjermane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat