Kjo do të jetë përgjigja e Kroacisë ndaj kërcënimeve për luftë në Bosnjë dhe Hercegovinë

Evropë

Kjo do të jetë përgjigja e Kroacisë ndaj kërcënimeve për luftë në Bosnjë dhe Hercegovinë

Më: 22 shtator 2016 Në ora: 11:51
Kolinda Grabar-Kitaroviç

“Kroacia, në lidhje me ngjarjet në Bosnjë dhe Hercegovinë, në ditët e ardhshme do të reagojë përmes niveleve të larta tek Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Këshillit të Zbatimit të Paqes, si dhe do të luajë një rol të fuqishëm dhe aktiv”, i kanë thënë mediumit kroat, Jutarnji list, burime të afërta me udhëheqjen politike kroate.

Vetë presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila është në Nju Jork për sesionin e 71 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së po ndjek nga afër atë që po ndodh në vendin fqinj, shkruan ky medium.

Dhe sipas këshilltarit të presidentes Grabar-Kitaroviç, dr. Mate Granic, “Kroacia ka të drejtë legjitime për të luftuar për barazinë e kroatëve në Bosnjë dhe Hercegovinë”.

Për këtë, gjithashtu thuhet se në Nju Jork, do të takohen diplomatët kroatë dhe të BeH, Miro Kovac dhe Igor Crnadak dhe do të flasin për situatën në vend.

Tensionet janë ngritur në Bosnjë Hercegovinë, përpara referendumit të caktuar më 25 shtator ku do të vendoset nëse Republika Serbe do të festojë ditën e entitetit më 9 janar, ditën kur më 1992 deklaroi shkëputje nga Bosnja.

Gjykata Kushtetuese në Bosnjë ka thënë se kjo ditë feste është diskriminuese ndaj boshnjakëve dhe kroatëve të Bosnjës dhe ka thënë se referendumi është i jashtëligjshëm.

Gjithashtu, në tensionim të situatës thuhet se ka ndikuar edhe një deklaratë e Sefer Haliloviç, ish-komandant i kohës së luftës i ushtrisë boshnjake, kur ai kërcënoi me luftë nëse mbahet referendumi, duke e parë atë si hapin e parë të shkëputjes së Republikës Serbe nga Bosnjë dhe Hercegovina.

“Pas referendumit, Marrëveshja e Dejtonit nuk është më e vlefshme,…, dhe pas kësaj Zoti na ndihmoftë”, kishte thënë Halilovic, i cili u pasua nga një reagim i fortë i politikanëve serbë.

Një reagim i parë kishte ardhur nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili përmes një deklarate kishte thënë se Serbia “nuk do të lejojë shkatërrim apo sulm ushtarak” ndaj Republikës Serbe në Bosnjë.

Veç tij, ka reaguar edhe presidenti serb, Tomislav Nikoliç, i cili ka thënë se lidhur me situatën në BeH ka pasur takime me kryeministrin Aleksandar Vuçiq, me përfaqësuesit e shërbimeve të caktuara, si dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, duke shtuar se pavarësisht të gjithave, “Serbia është duke e monitoruar situatën dhe nuk do të lejojë ndonjë befasi”.

“Në këtë pikë në BeH ndodhin procese të rëndësishme. Nga njëra anë ishte shpallja e referendumit në Republikën Serbe, të cilin bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar. Dënimi erdhi edhe nga Këshilli i Zbatimit të Paqes, përveç Rusisë. Dhe presidentja e Kroacisë mori një pozicion shumë të qartë rreth referendumit”, thotë dr. Mate Granic.

Këshilltari i presidentes thotë se paralelisht, dhe procesi i dytë është kryesisht një përpjekje e Brukselit për BeH që të fillojë bisedimet për anëtarësim në BE.

“Ky është një zhvillim jashtëzakonisht inkurajues të cilin e mbështet edhe Kroacia”, ka thënë Mate Granic.

Procesi i tretë, sipas tij, përcjell Telegrafi, është ai i zgjedhjeve lokale në BeH, i cili do të përcaktojë në mënyrë të konsiderueshme të ardhmen e të gjithë vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat