Mbrojtja e kufijve: Vjena mikpritëse e samitit të refugjatëve

Evropë

Mbrojtja e kufijve: Vjena mikpritëse e samitit të refugjatëve

Më: 24 shtator 2016 Në ora: 09:40
Merkel me kryeministrin hungarez, Orban dhe atë austriak, Kern

Gardhe kufitare, burgime, dëbime: Vendet përgjatë itinerarit të Ballkanit ka kohë që ndjekin politikën e izolimit ndaj refugjatëve. Tani krerët e qeverive takohen në Vjenë për ta konfirmuar edhe një herë atë.

Si do ta zgjidhë Europa krizën e refugjatëve? Kjo çështje është vënë në qendër të një samiti europian që zhvillohet të shtunën (24.09) në Vjenë, me pjesëmarrjen e krerëve të qeverive të vendeve përgjatë itinerarit të Ballkanit. Ftesa ka ardhur nga kancelari austriak, Christian Kern (SPÖ). Në konferencën e Vjenës marrin pjesë kryeministrat e Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë, Shqipërisë, Hungarisë, Bullgarisë, Rumanisë, Maqedonisë dhe Greqisë.

E ftuar në Vjenë është edhe kancelarja gjermane Angela Merkel si edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk dhe eurokomisioneri për refugjatët, Dimitris Avramopoulos. Në samitin për refugjatët pikërëndesa është vënë tek mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së, dhe koncepteve të përbashkëta për sigurimin e tyre. Kancelari austriak, Christian Kern kërkon edhe rritjen e ndihmave për vendet nga vijnë refugjatët. "Me këtë ritëm si deri më tani nuk mund të jesh i kënaqur", është shprehur Kern.

Në konferencën e fundit të zhvilluar në Vjenë, në shkurt 2016, u vendos mbyllja e itinerarit të Ballkanit. Në samitin e Vjenës të shtunën (24.09) nuk priten vendime kaq të rëndësishme, por edhe njëherë konfirmimi i politikës aktuale të këtyre vendeve, që në thelb është edhe fundi i një kulture të mirëseardhjes.

Image
Ushtrarë serbë patrullojnë në kufi me Bullgarinë

Cilat janë pozicionet e vendeve pjesëmarrëse në samitin e Vjenës?

Austria: Kultura e mirëseardhjes nuk praktikohet më për refugjatët. Vendi planifikon ashpërsimin e ligjeve të azilit. Për kthimin e refugjatëve direkt në kufi ndihmon vendosja e kufirit maksimal prej 37.500 vetëve. Deri në fund të gushtit ky vend regjistroi 26.400 refugjatë.

Gjermania: Kancelarja gjermane, Angela Merkel po ashtu e ka ndërruar kursin. Ligje më të ashpra, dëbim më i shpejtë, marrëveshja me Turqinë, - të gjitha këto synojnë frenimin e fluksit të refugjatëve. E vetmja gjë që ajo nuk formulon qartë është vendosja e "kufirit maksimal", siç e kërkon partia kristiansociale, CSU. Ndërsa në plan europian, Merkel është e vetëdijshme se plani për kuotën e shpërndarjes së refugjatëve brenda BE ka dështuar.

Greqia: Nga hyrja në fuqi e marrëveshjes me refugjatët, në Greqi hyjnë më pak refugjatë ilegalë. Por frika se pakti me Turqinë nuk qëndron është e madhe. Qeveria e Athinës i kritikon vendet e BE-së se nuk e kanë bërë realitet ujdinë për zhvendosjen e 30.000 refugjatëve nga Greqia. Vetëm disa mijëra prej tyre janë shpërndarë.

Hungaria: Kryeministri konservator i djathtë, Viktor Orban praktikon që nga vjeshta e vitit të kaluar politikën e izolimit. Në kufirin me Serbinë e Kroacinë janë vendosur gardhe ndarës. Budapesti refuzon edhe planin e BE-së për kuotat e shpërndarjes. Më 2 tetor këtë politikë ai kërkon ta vulosë përmes një referendumi.

Rumania: Edhe ky vend ka një qëndrim pak a shumë të njëjtë me Hungarinë, por me një ton më të zbutur. Rumania refuzon kuotat, megjithëse vetë nuk është e prekur nga kriza e refugjatëve.

Sllovenia: Qeveria ka paralajmëruar nga një valë e re refugjatësh dhe ka theksuar se nuk do të lejojë tranzitimin drejt Austrisë. Ky vend ka ngritur një gardh me Kroacinë.

Serbia: Më kritike paraqitet gjendja në këtë vend, ku qëndrojnë të ngujuar gati 5.000 refugjatë në pritje të një shansi për të hyrë në Europë. Megjithë patrullimet e përbashkëta ushtarake, refugjatët vijnë rregullisht.

Maqedonia: Për shkak të krizës së thellë prej dy vjetësh në vend dhe zgjedhjeve të parakohshme në dhjetor, tema e refugjatëve nuk luan ndonjë rol. Gardhi kufitar me Greqinë mban larg masën e madhe të refugjatëve që duan të kalojnë.

Kroacia: Ky vend ka mbajtur qëndrimin e një vendi tranzit, prandaj problematika e refugjatëve nuk qëndron në rend të ditës.

Shqipëria: Deri më tani është e prekur shumë pak nga kriza e refugjatëve, prandaj ajo nuk është një temë debati në vend.

Bullgaria: Qendrat e pranimit në këtë vend janë mbushur, sipas të dhënave nga qeveria. Që nga fillimi i vitit janë regjistruar 13.000 refugjatë, më shumë se gjysma e tyre kanë vazhduar më tej rrugën drejt Europës veriore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat