Kroaci, konfirmohen rezultatet e zgjedhjeve parlamentare

Evropë

Kroaci, konfirmohen rezultatet e zgjedhjeve parlamentare

Më: 26 shtator 2016 Në ora: 11:01
Kolinda Grabar - Kitaroviç

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka miratuar rezultatet zyrtare të zgjedhjeve për Parlamentin kroat të mbajtura më 11 shtator.

Rezultatet do t'i dorëzohen nesër presidentes kroate, Kolinda Grabar - Kitaroviç, e cila do të fillojë konsultimet për emërimin e mandatarit për qeverinë e re kroate.     

Anëtarët e KSHZ-së konfirmuan njëzëri se rezultatet e shpallura më parë të zgjedhjeve parlamentare janë të vlefshme dhe zyrtare.

"Rezultatet sot do të shpallen në Gazetën Zyrtare, pas së cilës fillon afati prej 20 ditësh në të cilën duhet të mbahet seanca e parë e Kuvendit", ka thënë kryetari i KSHZ-së, Branko Hërvatin.

Pas marrjes së rezultateve zyrtare të zgjedhjeve, Presidentja Kitaroviç do të fillojë konsultimet me përfaqësuesit e partive që kanë marrë mbështetjen e votuesve që mandatari i ardhshëm ti paraqesë 76 nënshkrime të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit që e mbështesin atë në formimin e qeverisë së re. Parlamenti në këtë mbledhje do të numërojë 151 anëtarë.

Bashkësia Demokratike Kroate (HDZ), e cila ka fituar 61 mandate vazhdon negociatat me "Most"-in dhe listat e pavarura të cilët kanë 13 vende, por edhe me përfaqësues të minoriteteve.

Përfaqësuesit e pakicave në parlament gjithsej kanë tetë përfaqësues, tre përfaqësues të serbëve dhe pesë deputetë që përfaqësojnë pakicat tjera etnike.

HDZ-ja llogarit në votat e minoriteteve në formimin e një qeverie të shumicës dhe është duke negociuar me përfaqësuesit e tyre.

Koalicioni Kombëtar ka fituar 54 mandate, me çka hoqi dorë nga tentativa për formimin e qeverisë ndërsa lideri i Partisë Socialdemokrate (SDP) Zoran Milanoviç dha dorëheqje.

Përndryshe në zgjedhje dolën më pak se 53 për qind e votuesve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat