Greqi, prokurorja në gjyqin e Karelit: E torturuan, por nuk e vranë

Evropë

Greqi, prokurorja në gjyqin e Karelit: E torturuan, por nuk e vranë

Më: 29 shtator 2016 Në ora: 18:48
Ilustrim

Gjyqi i gardianëve të burgut, të akuzuar për vrasjen e të burgosurit shqiptar Ilia Kareli, ndodhet në pikën më kritike, 9 muaj pas fillimit të tij.

Kjo, pasi prokurorja e këtij gjyqi Joanna Zografou ka përshkruar vërtet fajin e rojeve të burgut “Nigritas” për akuzën e torturës ndaj të burgosurit, por ajo ka lehtësuar pozitën e tyre, duke u shprehur se vdekja nuk ka ardhur nga torturat e pësuara në këtë burg. Sipas saj, vdekja ka ardhur nga një infrakt në zemër, që ka nisur që në burgun e Malandrinos.

E thënë me terma ligjore, prokurorja ka kërkuar konvertimin e akuzës, për të cilën gjykohen të pandehurit, nga “kryerje e dallueshme torturash” në “kryerje e thjeshtë e torturave”, propozim që nëse pranohet nga gjykata, atëherë dënimet e përjetshme që presin disa prej 13 rojeve të burgut mund të shkurtohen shumë lehtë në dënime nga 5 deri në 20 vite heqje lirie.

Prokurorja ka argumentuar se, “funksioni kardiak i Karelit ishte në një ekuilibër delikat”. Ajo ka bërë një lidhje midis stresit apo psikosomatikës së përjetuar në Malandrino, për shkak të kundërshtimeve të përsëritura të kërkesave për lirim, me goditjet në burgun e Fokidas, pasi ai vrau me një thikë artizanale gardianin Giorgos Tsironis.

Ky ka qenë fitili që i ka vënë zjarrin problemit kardiak, - ka thënë ajo, duke theksuar se 13 gardianët e burgut të Nigritës nuk e dinin që ai kishte dy ditë që po vuante nga një goditje ishemie.

Torturat në burgun e Nigritës, pas mbërritjes së Karelit, prokurorja greke i ka cilësuar “shkaktim metodik dhe i qëllimshëm i dhimbjes”, nga “goditje të forta dhe të dhunshme”, prej rojeve të këtij burgu. Ajo ka argumentuar gjithashtu se, nuk vërtetohet përdorimi i elektroshokut apo kamzhikut në pjesën e këmbëve, por ka pranuar përdorimin e çarçafëve të lagur dhe të përdredhur, me anë të të cilëve është goditur i burgosuri.

Gjyqi do të vazhdojë javën e ardhshme me fjalimet e avokatëve mbrojtës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat