Sulm me bombë në Turqi, vriten 17 persona

Evropë

Sulm me bombë në Turqi, vriten 17 persona

Më: 9 tetor 2016 Në ora: 13:43
Ilustrim

Të paktën 17 persona kanë humbur jetën në Turqi, mes të cilëve 9 ushtarë dhe 8 civilë, ndërkohë që 27 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me bombë të ndërmarrë në rajonin juglindor të vendit.

Nëpërmjet një komunikate zyrtare, autoritetet njoftuan se sasia e lëndës eksplozive ishte e montuar në një makinë dhe u aktivizua nëpërmjet një detonatori.

Në bazë të hetimeve të deri tanishme, raportohet se sulmi është ndërmarrë nga militantët kurdë të grupimit Partia e Punëtorëve të Kurdistanit. Megjithatë, për më shumë detaje do të duhet të pritet një komunikatë e dytë e autoriteteve.

Të plagosurit janë dërguar menjëherë në ambientet spitalore për të marrë trajtimin e nevojshëm shëndetësor. Mjekët janë shprehur se disa prej tyre kanë marrë plagë të rënda, duke mos përjashtuar mundësinë e rritjes së bilancit të viktimave.

Konflikti i armatosur mes Turqisë dhe militantëve kurdë ka nisur që prej vitit 1984, kur grupime të ndryshme nisën që të shfaqnin tendenca separatist.

Gjatë këtij konflikti kanë humbur jetën më shumë se 40 mijë persona nga të dyja palët. Turqia dhe grupimet kurde arritën që të firmosnin një marrëveshje armëpushimi e cila zgjati për afro dy vite, por u shkel në korrik të vitit të shkuar.

Që prej atëherë, militantët kanë organizuar sulme të ndryshme që kanë patur si objektiv agjencitë ligjzbatuese, policinë si dhe forcat ushtarake.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat