Serbët e Bosnjës sfidojnë Ditën e Pavarësisë

Evropë

Serbët e Bosnjës sfidojnë Ditën e Pavarësisë

Më: 14 tetor 2016 Në ora: 17:20
Ilustrim

Parlamenti në Republikën Serbe, entitetin serb të Bosnjës, i paraqiti një mocion Gjykatës Kushtetuese Shtetërore, duke pretenduar se Dita e Pavarësisë që festohet në entitetin e Federatës është antikushtetuese. Ligjvënësit serbë të Bosnjës i dërguan një mocion Gjykatës Kushtetuese të martën, duke pretenduar se Dita e Pavarësisë që festohet më 1 mars nuk është “përfaqësuese e vullnetit të tre popujve përbërës të vendit (boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve”.

1 Marsi në entitetin e Federatës me shumicë boshnjake dhe kroate përkujtohet për të shënuar referendumin e vitit 1992, në të cilin shumica votuan në favor të shkëputjes nga Jugosllavia. Por votuesit serbë e bojkotuan referendumin e vitit 1992 dhe entiteti i serbëve të Bosnjës, Republika Serbe nuk e shënon këtë ditë si Ditën e Pavarësisë. Radovan Viskoviç, një deputet i partisë qeverisëse të serbe të Bosnjës, Bashkimi i Socialdemokratëve të Pavarur, SNSD, tha një konferencë për shtyp se Dita e Pavarësisë e festuar më 1 mars, është diskriminuese. “Është e qartë se kjo është një datë që ka lidhje vetëm me dy popujt që votuan në referendumin për pavarësi, kështu që e vendos popullin serb në një pozitë për t’u ndjerë i diskriminuar në raport me dy popujt e tjerë,” tha Viskoviç.

Vendimi për t’i paraqitur një mocion Gjykatës Kushtetuese erdhi nga presidenti serb i Bosnjës Milorad Dodik, pasi gjykata vendosi më herë se Dita e Republikës Serbe më 9 janar ishte diskriminuese ndaj jo serbëve në entitet, sepse ajo ishte gjithashtu një festë fetare ortodokse serbe. 9 janari 1992 ishte dita kur serbët e Bosnjës shpallën themelimin e Republikës Serbe, gjë të cilën boshnjakët e vendit e shohin si një shenjë paralajmëruese për luftën që shpërtheu menjëherë pas kësaj.

Dodik muajin e kaluar tha se dëshironte që Gjykata Kushtetuese të rishqyrtonte nëse 1 marsi në Federatë ishte një festë antikushtetuese “duke përdorur të njëjtat kritere dhe argumentet që ata përdorën në vlerësimin e Ditës Kombëtare të Republikës Serbe”. Dodik thotë se referendumi i 1 marsit shkaktoi nisjen e luftës dhe festimi i asaj dite diskriminon serbët që jetojnë në Federatë. Republika Serbe mbajti një referendum muajin e kaluar për të vendosur nëse 9 janari do të vazhdojë të përkujtohet si “dita e krijimit të shtetit” të saj, pavarësisht një ndalimi të vendosur nga Gjykata Kushtetuese dhe kritikave të forta nga komuniteti ndërkombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat