Putin hedh poshtë akuzat për ndërhyrje kibernetike nga Moska

Evropë

Putin hedh poshtë akuzat për ndërhyrje kibernetike nga Moska

Më: 17 tetor 2016 Në ora: 15:16
Presidenti rus Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin ka hedhur poshtë akuzat e fundit të Shteteve të Bashkuara se Kremlini ka drejtuar sulmet kibernetike kundër Uashingtonit. Ai gjithashtu shprehu mospërfillje për kërcënimet amerikane për t’u kundërpërgjigjur nëse Rusia përpiqet të ndërhyjë në ndonjë formë në zgjedhjet e ardhshme.

Presidenti Putin i bëri komentet dje në Indi, gjatë një konference për shtyp të transmetuar nga televizioni, ku i cilësoi akuzat amerikane një përpjekje për të larguar vëmendjen nga “problemet e shumta” me të cilat ndeshen Shtetet e Bashkuara.

Komentet e zotit Putin bëhen më pak se dy ditë pasi Nënpresidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi se “po i dërgojmë një mesazh Putinit”. Ai tha për rrjetin televiziv NBC të premten se kundërpërgjigja amerikane ndaj sulmeve kibernetike ruse “do të bëhet kur të vendosim ne, në rrethana që do të japin rezultatin më të madh”.

“Mund të presësh çdo gjë nga miqtë tanë amerikanë,” tha zoti Putin të dielën. Ai shtoi se dihet gjerësisht se “organizma zyrtare në Shtetet e Bashkuara spiunojnë dhe përgjojnë këdo”.

Këto komente pasojnë një deklaratë të përbashkët më 7 tetor të Drejtorit të Zbulimit Kombëtar dhe Shefit të Agjencisë për Sigurinë e Vendit ku ata e akuzojnë zyrtarisht Moskën për ndërhyrje të paligjshme në rrjetet dhe sistemet kibernetike të organizatave politike amerikane.

Këto akuza lidhen me ndërhyrjen në llogaritë e brendshme të emaileve në Komitetin Kombëtar Demokratik. Amerikanët e kanë akuzuar Moskën se ka orkestruar përmes Wikileaks nxjerrjen e informacionit të përftuar nga ndërhyrja në llogaritë e emaileve.

Të dielën presidenti rus tha “Dua t’i siguroj të gjithë, përfshirë miqtë dhe partnerët tanë amerikanë: Nuk kemi në plan të ndërhyjmë në fushatën zgjedhore në Shtetet e Bashkuara”.

Në korrik Kremlini u akuzua nga stafi i kandidates demokrate Hillary Clinton se kishte ndërhyrë në emailet e Komitetit Kombëtar Demokratik.

Shumë analistë perëndimorë e kanë akuzuar më pas Moskën se preferon kandidatin republikan Donald Trump si president i ardhshëm, duke sjellë si shembull lëvdatat e përsëritura të zotit Trump në adresë të Presidentit Putin dhe komentet e tij për nevojën që të ketë lidhje më të ngushta mes dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat