Merkel “në presion” nga partia

Evropë

Merkel “në presion” nga partia

Më: 23 tetor 2016 Në ora: 23:15
Angela Merkel

Në Unionin Kristiandemokrat e Kristiansocial po rritet presioni ndaj kancelares Angela Merkel për të rikandiduar sërish për një mandat të ri në zgjedhjet e ardhshme për Bundestagun, 2017.

“Kjo është dëshira e shumicës, që Angela Merkel të jetë kandidate edhe për një mandat të ri”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Peter Tauber për median, Funke MEdiengruppe, të shtunën (22.10). Ai po ashtu ka besim se Merkel do ta respektojë këtë dëshirë të partisë.

Edhe Manfred Weber, zëvendëskryetar i partisë kristiansociale, CSU, partia e unionit, shpesh në kurs konfrontues me Merkelin për shkak të politikës ndaj refugjatëve, është shprehur për revistën “Spiegel” se pret që Merkel të kandidojë edhe për një mandat të katërt.

“Angela Merkel është kandidatja jonë”.

Politikani kristiansocial shprehet se “ai dëshiron që ky konfirmim të vijë sa më shpejt”. Nëse Merkel kandidon edhe njëherë, ajo e ka mbështetjen e partisë simotër, CSU, ka thënë Weber.

Vetë Merkel nuk ka deklaruar ende, nëse do të qëndrojë kryetare e partisë CDU, apo nëse do të rinkandidojë për mandatin e katërt. Sipas pikëpamjes së politikanit kristiandemokrat, Tauber, Merkel do të thotë fjalën e saj “në kohën e duhur”.

Kryeministrja e landit Saar, Annegret Kramp-Karrenbauer është shprehur se “ka për të pasur një kandidate dhe ajo do të zgjidhet me shumicë të qartë”. Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm, Peter Tauber pret një fushatë, në të cilën Unioni do të mbrojë një politikë të qendrës, kundër një politike të socialdemokratëve, të Majtëve dhe të Gjelbërve, por pohon se “Koalicioni kristiandemokrat me të Gjelberit është një alternativë e mundshme”. Unioni duhet të tejkalojë 34%, kuotën që arrihet aktualisht në sondazhet zgjedhore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat