Dijsselbloem: Londra jo më qendra financiare e Evropës

Evropë

Dijsselbloem: Londra jo më qendra financiare e Evropës

Më: 29 nëntor 2016 Në ora: 20:49
Dijsselbloem

Në një prej komisioneve të parlamentit evropian ka nisur debati lidhur me të ardhmen e bashkëpunimit ekonomik me Britaninë pas vendimit të saj për largim. Holandezët nëpërmjet ministrit të tyre të financave kanë mbajtur një qëndrim të ashpër duke kërkuar që Londra të mos jetë më qendra kryesore financiare e eurozonës. Diskutimet vijnë në një kohë kur Bashkimi Evropian po përpiqet të zbatojë politika financiare që i japin përgjigje euroskepticizmit, duke stimuluar punësimin dhe rritjen ekonomike të vendeve anëtare.

Presidenti i Eurogrupit dhe Ministri i Financave të Holandës, Jeroen Dijsselbloem deklaroi se Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë më që Londra të jetë qendra kryesore financiare e eurozonës. Eurogrupi është forumi i ministrave të financave të vendeve të eurozonës. Duke folur sot në parlamentin evropian, ai theksoi se BE-ja duhet të mbajë një qëndrim të fortë ndaj Londrës.

“Ne nuk mund ë lejojmë që qendra kryesore finaciare për Evropën dhe eurozonën të jenë jashtë Evropës dhe të ndjekë rrugën e vet përsa i takon rregullave dhe kërkesave. Thjesht nuk mund ta lejojmë këtë që të ndodhë. Duhet të mbajmë një qëndrim të fortë për këtë. Nuk ka asnjë alternativë tjetër”, u shpreh sot zoti Dijsselbloem duke dëshmuar në një prej komisioneve të parlamentit evropian.

Ministri holandez i financave tha se nuk pret që Britania pas largimit të zbatojë rregullat e Bashkimit Evropian.

“Nuk mund të lejojmë një vend të tretë të ketë qasje të plotë në tregjet financiare evropiane, nëse në të njëjtën kohë ne i lejojmë këtij vendi t’u shmanget rregullave tona për standartet kryesore, kërkesat, mbrotjes së konsumatorit e të tjera. Nuk mendoj se kjo është e mundur. Ata po shohin për një model norvegjez për shërbimet financiare, por kjo nuk ka kuptim në rastin e Britanisë, pasi ata vendosën të dalin nga BE-ja pikërisht për arsye sovraniteti”.

Vetëm disa ditë para takimit të ministrave të financave të eurozonës, zoti Dijsselbloem u bëri thirrje udhëheqësve europianë të jenë realistë me objektivat fiskalë për Greqinë pas vitit 2018, kur përfundon edhe programi i ndihmës financiare për këtë vend.

Komentet e tij bëhen në një kohë kur Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian, propozoi në fillim të nëntorit një politikë më të lirë buxhetore për 19 vendet e euro zonës. Kjo sygjeron që deficiti buxhetor të ngrihet nga norma e tanishme prej 3% në 3.5% të Prodhimit të Brendëshëm Bruto për vitin që vjen, si një përgjigje ndaj euroskepticizmit në rritje pas vitesh ulje të vazhdueshme ekonomike dhe papunësie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat