Athina e bllokuar mes Gjermanisë dhe FMN-së

Evropë

Athina e bllokuar mes Gjermanisë dhe FMN-së

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 19:57
Komisioneri evropian për Çështjet Ekonomike, Pierre Moscovici

Ministrat e Financave të zonës euro, të cilët do të vlerësojnë të hënën progresin e reformave të kërkuara nga Greqia në kuadër të planit të tretë të ndihmës do të diskutojnë gjithashtu për çështjen delikate të borxhit, për të cilën Gjermania dhe FMN kanë pasur vështirësi për të rënë dakord.

“Për muaj të tërë situata ka ngecur. Berlini nuk dëshiron të bëjë përpjekje për Greqinë pa mbështetjen e FMN-së dhe FMN-ja nuk ka parashikuar të lëvizë pa një përpjekje tjetër të zonës euro dhe të Berlinit. Ky është një rreth vicioz pa fund”, theksoi një negociator evropian.

Kreditorët e Greqisë, BE dhe FMN, kishin vendosur që deri në fund të vitit të gjenin një zgjidhje. Pa sukses dy ditë para Eurogrupit të fundit 2016.

Dy takime parapërgatitore mes ministrave të Financave gjerman, francez, spanjoll, italian dhe holandez, një në Berlin dhe tjetri në Hagë janë anuluar.

“Eurogrupi mund të mos jetë përfundimtar”, theksoi sot komisioneri evropian për Çështjet Ekonomike, Pierre Moscovici dhe takimi do të ketë vetëm një etapë mbi avancimin e masave të kërkuara nga Greqia.

Nga njëra anë, FMN-ja refuzon të marrë pjesë financiarisht në këtë plan të tretë të ndihmës për Greqinë, 86 miliardë euro akorduar në vitin 2015, nëse çështja e borxhit, 181,6 për qind e PBB në vitin 2016, nivel i gjykuar i patolerueshëm, nuk është diskutuar me kreditorët.

Nga ana tjetër, Gjermania dhe ministri i Financave, Wolfgang Schäuble, shfaq një vendosmëri ekstreme përballë Athinës. Disa muaj nga zgjedhjet legjislative vendimtare për partinë e tij demokrate-kristiane (CDU), ajo e kancelares gjermane, Angela Merkel, ai përsërit idenë për ristrukturimin e borxhit në 2018.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat