Yildirim: Operacioni turk në Siri nuk synon ndryshimin e regjimit

Evropë

Yildirim: Operacioni turk në Siri nuk synon ndryshimin e regjimit

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 14:04
Kryeministri turk, Binali Yildirim

Ndërhyrja turke në Siri nuk lidhet me situatën në Alepo dhe nuk ka për qëllim një ndryshim të regjimit në Damask, theksoi sot kryeministri turk, Binali Yildirim në një intervistë me agjencinë ruse të lajmeve “Interfax”.

“Operacioni “Mburoja e Eufratit” nuk lidhet me atë që po ndodh në Alepo, as me vullnetin për të ndryshuar regjimin në Siri”, deklaroi Yildirim, i cili u takua një ditë më parë në Moskë me homologun rus, Dmitri Medvedev dhe u prit nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Ky operacion ka vetëm një objektiv, shkatërrimin e të gjithë elementëve terroristë të pranishëm në rajon, në prioritet grupin e Shtetit Islamik”, nënvizoi ai.

Në fund të nëntorit, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan konfirmoi se operacioni turk i nisur në muajin gusht në veri të Sirisë parashikonte t’i jepte fund “mbretërimit të tiranit Assad”, duke ngjallur reagimin e Moskës.

Dy ditë më pas, ndërkohë që Rusia kishte kërkuar shpjegime për këto deklarata, presidenti turk u tërhoq nga deklaratat e tij dhe siguroi se ndërhyrja turke kishte si shënjestër organizatat terroriste.

“Fati i disa grupeve etnike në Siri është padyshim shumë më i rëndësishëm se ai i një personi, veçanërisht i Bachar al-Assadit”, nënvizoi Yildirim.

Ai përshëndeti mbërritjen e një ere të re në marrëdhëniet mes Moskës dhe Ankarasë, përkeqësuar që prej verës pas një krize të rëndë diplomatike si pasojë e rrëzimit të një avioni turk nga avionë luftarkë rusë në nëntor të vitit 2015 në kufirin turko-sirian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat