Akuza ndaj Angela Merkelit pas sulmit në Berlin

Evropë

Akuza ndaj Angela Merkelit pas sulmit në Berlin

Sabine Kinkartz Nga Sabine Kinkartz Më 23 dhjetor 2016 Në ora: 22:16
Akuza ndaj Angela Merkelit pas sulmit në Berlin

Angela Merkel është prej njëmbëdhjetë vjetësh në pushtet, por asgjë nuk e ka dëmtuar imazhin e saj sa kriza e refugjatëve mendon Sabine Kinkartz.

Deri para pak ditësh bota për Partinë Demokristiane CDU ishte ende në rregull. Pas muajsh diskutimesh dhe mosmarrëveshjesh edhe për politikën ndaj azilantëve, gjendja u qetësua. Në kongresin e partisë CDU shumica e delegatëve votuan pro kandidaturës së Angela Merkelit për një periudhë të katërt si kancelare. Kjo falë edhe vendimeve për ashpërsimin e poltikës së azilit. Edhe marrëdhëniet me partinë CSU duket se përmirësoheshin.

Refugjatët dhe terrori

Se sa mashtruese ishte e qetësia e tregoi fakti se sulmi terrorist në tregun e Krishtlindjeve në Berlin i shkatërroi të gjitha përpjekjet politike të CDU-së dhe kancelarja është sërish në shënjestër të goditjeve. Madje ndoshta edhe më shumë se më parë. Atentati çoi ujë në mullirin e atyre që thoshin se e dinin prej kohësh që politika e kancelares ndaj refugjatëve bart kërcënimin prej terrorit të atyre që i shohin të gjithë refugjatët si terroristë potencialë.

Sikurse pritej partia ekstremiste e djathtë AfD po kërkon tani më fort se më parë "Merkeli duhet të largohet" dhe po përpiqet të fitojë me një retorikë të moderuar edhe ata qytetarë që e refuzojnë ekstremizmin politik, por që në kohë frikërash janë të ndjeshëm ndaj mesazheve të AfD-së.

Armiku në radhët e bredshme

Ajo që nuk pritej kaq shumë ishte shpejtësia dhe vendosmëria me të cilën kancelarja gjendet tani nën presion në radhët e unionit CDU/CSU. Që të nesërmen e atentatit kryeministri bavarez dhe shefi i CSU-së Horst Seehofer u shpreh në prani të kabinetit të tij në Mynih kundër Angela Merkelit dhe kërkoi ndryshim në politikën ndaj refugjatëve, sikur të mos ishin ashpërsuar shumë prej ligjeve për azilin.

Seehofer po e qëllon Merkelin me qëllim pas shpine. Ai do ta detyrojë atë që të miratojë kufizime në numër për refugjatët. Ai do ta imponojë Merkelin që në programin e përbashkët elektoral të CDU/CSU-së të përfshihet slogani "Ne garantojmë një kufizim numerik pas zgjedhjeve". Por me këtë shefi CSU-së mbjell dyshime dhe vë në dyshim kompetencat e kancelares .

Sinjal fatal

Sulmi i Seehoferit është një sinjal fatal nga jashtë dhe brenda, sepse e ka nxitur rishtarzi debatin për politikën ndaj refugjatëve. Politikanë të CDU/CSU-së kërkojnë ashpërsime të mëtejshme të ligjit për azilin dhe po bëhen rrezik për kancelaren Merkel. Ajo e di këtë prandaj të martën e lexoi fjalë për fjalë nga letra tekstin e deklaratës për sulmin terrorist. Ajo është tani mjaft e kujdeshme, sepse çdo fjalë peshohet me peshoren e arit.

Edhe pse Angela Merkel nuk ka faj për sulmin, pyetja për përgjegjësinë e saj politike, po shtrohet me zë gjithmonë e më të lartë. Viti 2017 dhe zgjedhjet parlamentare nuk do të jenë të lehta për kancelaren. Ajo vetë ka thënë se llogarit me një polarizim të fortë të shoqërisë dhe sulme nga të gjitha anët, madje si kurrë më parë nga e djathta.

Angela Merkel është prej njëmbëdhjetë vjetësh në pushtet, por asgjë nuk e ka dëmtuar imazhin e saj sa kriza e refugjatëve. Reagimet politike tregojnë se sa ngushtë janë të lidhura në ndërgjegjen e gjermanëve çështje të tilla si terrori dhe refugjatët. Përfundimi i zgjedhjeve parlamentare 2017 do të varet edhe se sa e sigurt do të jetë Gjermania. Sepse sa më e madhe të jetë pasiguria, aq më të larta bëhen thirrjet për një dorë të fortë. Një kandidateje për kancelare që shihet me mosbesim në radhët e partisë së saj i mungon kjo forcë./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat