2016 - vit i zymtë për BE-në

Evropë

2016 - vit i zymtë për BE-në

Më: 27 dhjetor 2016 Në ora: 11:14
Ilustrim

Pas samitit të fundit të BE-së në dhjetor, kancelarja gjermane Angela Merkel nxori këtë bilanc: "Për vitin 2016 mund të themi se ky ishte për ne, për Bashkimin Evropian një vit shumë prekës. Sërish një vit shumë prekës pas vitit 2015, kur te ne erdhën shumë refugjatë. Sidomos  vendimi i Britanisë së Madhe për t'u larguar nga Bashkimi Evropian, është sigurisht një plagë e thellë." Bruksel është i një mendjeje, politikisht  2016 ishte një vit i keq. Po ai i mbushi megjithatë me gëzim nacionalistët, populistët dhe kundërshtarët e BE-së në Evropë.

Kriza e refugjatëve

Viti filloi sikurse mbaroi, me krizën e refugjatëve. Mijëra vetë vinin çdo ditë përmes Ballkanit. Austria qe vendi i i parë që mbylli kufijtë e saj me Slloveninë dhe Hungarinë. Edhe shtetet e Ballkanit mbyllën gradualisht kufijtë e  tyre. Refugjatët dhe emigrantët grumbullohen në Greqi.

Image

BE-ja dhe Turqia bien dakord për t'i penguar me efektivitet refugjatët dhe emigrantët. Duke filluar nga 20 marsi të gjithë njerëzit që hynin nga Turqia në Greqi ekstradohen në Turqi. BE-ja vendos t'i mbrojë më me forcë kufijtë e saj. Kritikat e BE-së ndaj kancelares Merkel për shkak të politikës ndaj refugjatëve, ndikojnë edhe në Gjermani, ku në zgjedhjet për parlamentet e disa landeve fitoi partia populiste e djathtë "AfD". Edhe në vende të tjera të BE-së partitë populiste të djathta fuqizohen.

Krizat në BE dhe Brexit-i

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, u shpreh në një intervistë për "euronews" se për shkak të shumë krizave në BE dhe tensioneve në rritje në mes të shteteve anëtare të BE-së gjendja duket e zymtë. "BE-ja është në një gjendje të mjerueshme. Forcat ekstreme centrifugale po  fitojnë në zgjedhje dhe referendume. Nëse vëmë në pikëpyetje tani thelbin e projektit evropian, atëherë ne luajmë me të ardhmen e brezave të ardhshëm", tha ai.

Image

Grusht i fortë në stomakun e BE-së ishte triumfi i nacionalistëve në Britaninë e Madhe. Pas vendimit për Brexit-in në krye të vendin vjen Theresa May, e cila thotë: "Brexit-i është Brexit" . 27 shtetet e tjera anëtare refuzuajnë të bëjnë lëshime ndaj britanikëve dhe i bëjnë thirrje kryeministres që të paraqesë planin për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Por me sa duket ajo nuk ka ndonjë koncept të tillë dhe do ta bëjë kërkesën zyrtare për daljen nga BE-ja në fund të marsit 2017.

Sulme terroriste

Në mars Brukseli tronditet nga disa sulme me bomba të islamikëve, prej të cilave gjetën vdekjen 32 vetë. Gradualisht hetuesit zbulojnë një rrjet terroristësh nga Belgjika, Franca dhe Siria. Disa syresh kishin ardhur në shkurt si refugjatë përmes Ballkanit. BE-ja vendos kontrolle të përforcuara për qytetarët e BE-së dhe një bashkëpunim më të fortë të shërbimeve sekrete, shkruan DW.

Image

Në dhjetor terrori godet edhe Gjermaninë. Edhe këtu një kamion mësyu në mes të stendave të tregut të Krishtlindjeve në sheshin Breitenscheidplatz në Berlin. Ai u përplas dhe shkatërroi disa nga stendat dhe për pasojë gjetën vdekjen 12 vetë dhe u plagosën 48 të tjerë, disa syresh rëndë.

Grusht shteti në Turqi

Presidenti turk Recep Tajip Erdogan arrin të shtypë një përpjekje pët grusht shteti. Ai konsolidon pushtetin e tij përmes një fushate arrestimesh dhe spastrimesh. Numri i sulmeve terroriste nga ana e islamistëve dhe e kurdëve në Turqi shtohet. BEja e kritikoi Erdoganin, por ajo ka gjithashtu nevojë për të sepse ai strehon emigrantët. Shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini e përshkruan këtë spargatë me fjalët: "Ne mbështesim plotësisht institucionet demokratike dhe legjitime. Megjithatë, nuk ka asnjë justifikim për të tilla reagime që dëmtojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut ." Erdogani kërcënon disa herë se do ta abrogojë marrëveshjen për refugjatët, po në fund të fundit nuk e bën këtë.

Image

Në nëntor Parlamenti Evropian kërkoi ngrirjen e negociatave për pranimin e Turqisë në BE, për shkak të shkeljes së vlerave themelore evropiane në këtë vend. Ministrat e Jashtëm të BE-së nuk iu përgjigjen kësaj thirrjeje, por nuk duan të hapin një herë për një herë asnjë kapitull të ri të këtyre bisedimeve që vazhdojnë prej 11 vjetësh. Vetëm Austria është shprehur në mënyrë të qartë se Turqia nuk mund të jetë anëtare e BE-së. Për vendet e Ballkanit duhet të vazhdojë perspektiva evropiane.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat