Turqi: Vazhdon kërkimi masiv për sulmuesin, derisa IS-i e mori përgjegjësinë

Evropë

Turqi: Vazhdon kërkimi masiv për sulmuesin, derisa IS-i e mori përgjegjësinë

Më: 2 janar 2017 Në ora: 11:27
Polici

Grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), e ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës në një klub nate në Stamboll, në orët e para të Vitit të Ri 2017, nga i cili u vranë 39 vetë dhe u plagosën 69 të tjerë.

Në kumtesën e sotme të Shtetit Islamik, theksohet se “një ushtar i kalifatit” e ka kryer sulmin atje ku “festonin të krishterët, mohues të religjionit”.

Të përditshmet turke, Hurriyet dhe Karar, kanë raportuar sot herët në mëngjes se zyrtarët e sigurisë së Turqisë kanë shprehur dyshime për involvimin e Shtetit Islamik në këtë masakër. Gazetat, po ashtu, kanë raportuar se i dyshuari, me gjasë, ishte nga Uzbekistani ose Kirgizia.

Aktualisht, në Turqi po vazhdon kërkimi për personin i cili e kreu këtë sulm, i veshur me rroba të Baba Dimrit.

Zyrtarët thanë se 24 prej 39 vetëve të vrarë ishin të jashtëm, 69 vetë janë plagosur gjatë këtij sulmi, ndërsa 4 prej tyre janë në gjendje kritike.

Një burim në Konsullatën e Rusisë në Stamboll i tha agjencisë TASS se një prej viktimave ishte një femër ruse, për të cilën fillimisht thuhej gabimisht se ishte shtetase e Azerbajxhanit.

Në mesin e të vrarëve janë identifikuar edhe shtetas nga Arabia Saudite, Kanadaja, Jordania, Iraku, Libani, Tunizia, India, Izraeli dhe Libia.

Personi i armatosur e vrau një polic në hyrje të klubit të natës, Reina, në lagjen Ortakoj të Stambollit, në orët e para të Vitit të Ri 2017.

Ai hapi zjarr kundër 500 apo 700 njerëzve në këtë klub nate të njohur, që po e festonin ardhjen e Vitit të Ri.

Raportohet se disa njerëz kishin kërcyer në Ngushticën e Bosforit për të ikur nga të shtënat.

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, tha se sulmuesi e ka lënë armën brenda lokalit dhe ka ikur “duke e shfrytëzuar avantazhin e kaosit” të krijuar.

Guvernatori i Stambollit, Vasip Sahin, këtë sulm e ka përshkruar si incident “terrorist”.

“Për fat të keq, ai i ka shkrepur plumbat në mënyrë tejet mizore dhe të pamëshirshme në njerëz, që festonin Vitin e Ri dhe gëzoheshin”, tha guvernatori Sahin.

Ministri i brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, tha se sulmuesi nuk është identifikuar dhe ende është në ikje. Besohet se sulmuesi e ka zhveshur uniformën e Baba Dimrit dhe është larguar nga klubi me të veshura të tjera.

“Shërbimet tona të sigurisë i kanë filluar operacionet e domosdoshme”, tha ministri Soylu dhe ka shtuar se “me ndihmën e Zotit, sulmuesi do të zihet për një kohë të shkurtër”.

"Sipas informacioneve që i morëm, nga policia, atje ishte një sulmues. Nuk ka pasur më tepër. Ai hyri brenda dhe ka hapur zjarr. Ne patëm informacione se ai kishte veshur rroba të ndryshme derisa ishte përpjekur të largohej. Forcat tona policore po vazhdojnë analizën e këtij informacioni”, tha ministri i brendshëm, Suleyman Soylu.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se sulmi ka pasur për qëllim krijimin e kaosit në Turqi.

“Ata po punojnë për ta shkatërruar moralin e vendit tonë dhe për të krijuar kaos të qëllimshëm, duke i marrë në shënjestër civilët dhe duke e sulmuar paqen e vendit, me këto sulme neveritëse”.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, në rrjetin social Twitter ka shkruar se “mendimet tona janë me viktimat dhe familjarët e tyre dhe se ne vazhdojmë të punojmë për parandalimin e tragjedive të këtilla”.

Në Shtetet e Bashkuara, Shtëpia e Bardhë e ka dënuar incidentin, të cilin e ka cilësuar si “sulm të tmerrshëm terrorist”.

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka urdhëruar të gjitha ndihmat e mundshme për Turqinë.

Siguria në Turqi ishte e lartë derisa festohej Viti i Ri 2017. Në Stamboll raportohet se në detyrë ishin afro 17 mijë policë.

Gjatë vitit 2016, Stambolli dhe kryeqyteti Ankaraja ishin goditur nga një numër i sulmeve terroreiste. Më 14 dhjetor janë vrarë 44 vetë dhe 149 të tjerë janë plagosur nga një sulm i dyfisht me bombë afër stadumit të futbollit në Stamboll, që nuk është shumë larg nga lokali i natës, Reina.

Në dhjetor, Shteti Islamik e ka publikuar një video, që thuhet se e tregon vrasjen e dy ushtarëve të Turqisë dhe pastaj u bëhet thirrje luftëtarëve të IS-it, për ta “okupuar” Stambollin.

Autoritetet e Turqisë nuk e kishin konfirmuar autenticitetin e videos.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat