Edhe Vatikani hap kishat për të pastrehët për shkak të motit të ftohtë

Evropë

Edhe Vatikani hap kishat për të pastrehët për shkak të motit të ftohtë

Më: 13 janar 2017 Në ora: 20:54
Të pastrehët

Vatikani po lejon qëndrimin e të pastrehëve në një nga kishat e tij në Romë, për t’u mbrojtur nga moti i ftohtë i këtyre ditëve, deklaroi sot Selia e Shenjtë.

Të paktën 30 persona të pastrehë, italianë dhe të huaj, janë lejuar të flenë në kishën ”Shën Kalisto” dhe në ndërtesat fqinje në lagjen ”Trastevere” të Romës.

“Dhomat e fjetjes janë ngrohur dhe pajisur me shtretër, batanije dhe shërbime higjienike”, thuhet në deklaratë.

Një vakt i ngrohtë është shërbyer rreth orës 19:00 (1800 GMT) në një kuzhinë aty pranë dhe dhomat e fjetjes janë hapur një orë më vonë.

“Strehimi në kisha gjatë natës u hap më 7 janar dhe do të vazhdojë derisa të përmirësohet moti”, thuhet në deklaratë.

Departamenti i Mbrojtjes Civile në Itali ka lëshuar një alarm tjetër të motit, ku parashikohen temperaturat nën zero, dëborë dhe stuhi erërash për ditën e sotme deri në fundjavë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat