Greqi, aksidentohet për vdekje drejtori i Burgut të Malandrinos

Evropë

Greqi, aksidentohet për vdekje drejtori i Burgut të Malandrinos

Më: 17 janar 2017 Në ora: 22:25
Drejtori i Burgut të Malandrinos

Drejtori i Burgut të Malandrinos, ku i burgosuri shqiptar Ilia Kareli u dhunua barbarisht pasi vrau me një thikë artizanale Jorgos Tsironis, një prej rojeve të këtij institucioni penitenciar, ka humbur jetën në një aksident automobilistik.

Automjeti i 54-vjeçarit ka përfunduar në një greminë buzë detit, në kilometrin e 30 të rrugës Nafpakto-Irtea, në një lartësi prej 100 metrash.

Një dëshmitar okular ka parë ngjarjen dhe ka lajmëruar menjëherë policinë, ndihmën e shpejtë dhe repartin e zjarrfikësve, por drejtori i burgut është gjendur i vdekur brenda automjetit.

Autoritetet policore të Fokidës janë duke hetuar shkaqet e aksidentit, pasi në rrugë nuk ka asnjë shenjë frenimi të mjetit. Të afërmit e tij nuk duan të besojnë se pas aksidentit fshihet një akt kriminal.

Burgu famëkeq i Malandrinos është gjendur në fokusin e drejtësisë greke, përsa i përket rastit të të burgosurit shqiptar.

Në gjyqin e fundit për gardianët e akuzuar për vdekjen e tij, prokurorja e Selanikut Joanna Zografou, duke përshkruar vërtet fajin e rojeve të burgut “Nigritas” për akuzën e torturës ndaj të burgosurit, ka lehtësuar pozitën e tyre.

Ajo ka deklaruar në fazën finale të gjyqit se, vdekja nuk ka ardhur nga torturat e pësuara në këtë burg, por nga një infarkt në zemër që ka nisur që në burgun e Malandrinos, si pasojë e stresit apo psikosomatikës së përjetuar aty, për shkak të kundërshtimeve të përsëritura të kërkesave për lirim, por edhe të goditjeve që ka marrë nga gardianët e këtij institucioni, të cilat kanë vazhduar më barbarisht pas transferimit në Burgun e Nigritës, në Serres, ku edhe Kareli humbi jetën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat