Europa dhe imigracioni i myslimanëve

Evropë

Europa dhe imigracioni i myslimanëve

Më: 25 shkurt 2017 Në ora: 00:48
ilustrim

Zemërimi që ka shkaktuar në Europë urdhëri ekzekutiv i Presidentit Donald Trump për ndalimin e udhëtimeve nga disa shtete me shumicë myslimane, ka zbehur “mbështetjen e publikut” për masa të kësaj natyre në Europe, sipas një ankete të Institutit Chatham House të Londrës. Sipas anketës, 55 për qind e popullsisë në 10 vende europiane, mbështesin idenë për t’i dhënë fund imigracionit nga vendet myslimane. Korrespondeti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell ishte në Dresden dhe na dërgoi këtë kronikë:

Bilal Al Nasir ishte mes 1.1 millionë azil kërkuesve, të cilët erdhën në Gjermani në vitin 2015, pasi u largua nga Damasku kur vendi i tij bombardohej. Ai ende ka copa predhe në kokë.

“Shkova tek mjeku dhe më tha se duhet të operohem në kokë. Pas kësaj më duhet të shkoj në shkollë për të mësuar gjermanisht.”

Ndërsa pret të operohet, një grup bamirës po e ndihmon Bilalin për të gjetur punë.

“Qeveritë federale dhe shtetërore kanë programe të posaçme që merren me kërkime mbi mënyrat se si gjermanët mund të përfitojnë nga refugjatët. Këto programe u plotësojnë refugjatëve nevojat kryesore: mësimin e gjuhës, strehimin dhe ndihma ushqimore.”

Por Dresdeni duket se nuk e mirëpret këtë angazhim. Pikërisht atje ka lindur lëvizja PEGIDA, “Europianë Patriotë kundër Islamizimit të Perëndimit”.

Çdo të hënë përkrahësit e këtij grupi marshojnë nëpër qytet. Këtë javë e ftuar për të folur është Renate Sandvoss e grupit “Journalist Watch”, që pretendon se media gjermane përpiqet t’i fshehë problemet e imigracionit.

“Kultura myslimane” dhe këtë unë e them në thonjëza, sepse për mua ajo nuk është kulturë, është tërësisht e ndryshme nga kultura gjermane dhe thjesht nuk i përshtatet mjedisit të këtushëm.”- thotë ajo.

Shumë gjermanë janë dakord me këtë. Sipas një ankete të institutit Chatham House, 53 për qind e të anketuarve thanë se duan të ndalojë plotësisht emigracioni nga vendet myslimane.

Kur lindi kjo lëvizje, më tepër se dy vjet më parë, organizatorët shpresonin se ajo do të përhapej në mbarë Gjermaninë dhe në pjesën tjetër të Europës. Por deri tani kjo nuk ka ndodhur.

Kjo ka një arsye, thotë profesori i Universitetit të Dresdenit, Werner Patzelt.

“Për ta thënë qartë, PEGIDA është më e suksesshme se kurrë, vetëm se nën një tjetër emër, sepse AfD në fakt është Pegida, por si parti politike.”

AfD, apo “Partia Alternativa për Gjermaninë”, mund të bëhet partia e tretë më e madhe në zgjedhjet e planifikuara për në shtator. Ajo është njëra prej partive të së djathtës ekstreme në Europe, që ushqen shqetësimet për imigracionin.

“Ne nuk do të jemi të aftë ta ndalim imigracionin, nuk do të jemi të aftë për t’u siguruar që të ketë një shpërndarje të drejtë të imigrantëve në mbarë Europën. Ky është pikërisht problemi në qendër të integrimit europian.”

Megjithatë, anketat tregojnë se mbështetja për Partinë AfD po bie. Pasiguria e përgjithshme në botë - thonë analistët - mund të bëjë që votuesit gjermanë ta venë qëndrueshmërinë ekonomike para çështjes së imigracionit, dhe sfida e Gjermanisë do të jetë t’i bëjë imigrantët pjesë të kësaj së ardhmeje ekonomike./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat