Kandidatët Fillon dhe Le Pen nën presionin e drejtësisë

Evropë

Kandidatët Fillon dhe Le Pen nën presionin e drejtësisë

Më: 25 shkurt 2017 Në ora: 20:50
François Fillon dhe Marine Le Pen

Dy muaj nga zgjedhjet presidenciale të pasigurta në Francë, fushata ka marrë një kthesë tjetër nga çështjet gjyqësore që kanë përfshirë kandidatin e djathtë François Fillon dhe presidenten e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen, një bashkëpunëtor i të cilës është shpallur fajtor.

Ajo mendohet se ka paguar me fondet e Parlamentit Evropian dy bashkëpunëtorë të ngushtë të saj.

Tre gjyqtarë janë zgjedhur për të hetuar mbi çështjen e punësimeve të dyshuara fiktive të bashkëshortes së François Fillon, Penelope dhe dy fëmijëve të tyre, të angazhuar si asistentë parlamentarë duke rritur edhe më tepër presionin ndaj ish-favoritit në sondazhe.

Prokuroria kombëtare financiare (PNF) njoftoi dje në mbrëmje se kishte hapur një hetim penal për përvetësim të fondeve publike, abuzim me të ardhurat sociale, bashkëpunim dhe fshehje të këtyre krimeve, trafik influence dhe shkelje të detyrimeve për deklarimin në Autoritetin e Lartë për tranparencën e jetës publike.

Gjykatësit kanë tashmë mundësinë për të thirrur kandidatët në çdo kohë në kuadër të një aktakuze të mundshme.

Kjo ngjarje e re rrezikon të dobësojë pak më shumë kandidatin e djathtë, votat e të cilit kanë pësuar rënie të ndjeshme që prej shpërthimit të skandalit një muaj më parë pas zbulimeve të shtypit.

Gjatë një mitingu në një lagje parisiane dje në mbrëmje, François Fillon nuk ka reaguar drejtpërdrejt, por ka dënuar ashpër sulmet në një fushatë ku tubimet e tij janë bllokuar shëesh nga koncerte të organizuara nga opozitarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat