Erdogan: Futbolli dhe politika kanë shumë gjëra të përbashkëta

Evropë

Erdogan: Futbolli dhe politika kanë shumë gjëra të përbashkëta

Më: 20 mars 2017 Në ora: 22:55
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se të ardhmen e Turqisë nuk mund ta ndërtojnë ata që frikësohen nga rinia turke dhe nga populli.

“Koha e tyre ka kaluar, por akoma rezistojnë. Ne i fituam në shtatë cikle zgjedhore, ndërsa do t’i fitojmë edhe për të tetën herë më 16 prill, dhe shpresoj se atëherë do ta kuptojnë porosinë e popullit”, tha Erdogan.

Presidenti turk mbajti një fjalim në Qendrën e Kongreseve Halic, në Stamboll, ku sot mbahet Samiti i 2-të Futbollistik Ndërkombëtar, i cili në organizim të Unionit të Klubeve Futbllistike të Turqisë mblodhi personalitetet më të shquara të botës së sportit, veçmas futbollit.

Presidenti turk në fjalimin e tij theksoi se futbolli ka tejkaluar kufijtë e sportit dhe është bërë vendtakim ku bashkohen karaktere, identitete dhe rrëfime të ndryshme, dhe se në thelbin e tij qëndron lufta e përbashkët, miqësia dhe toleranca.

“Krahas shkathtësive dhe talentit individual, që i përdorin lojtarët në terren, për një fitore nevojitet që prapa tyre të qëndrojë edhe një udhëheqësi e fuqishme, staf teknik dhe tifozë.

Të gjithë duhet të veprojnë në mënyrë të sinkronizuar. Në një lojë ku luhet deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk ka vend për dëshpërim”, tha Erdogan.

Duke theksuar se futbolli paraqet argëtim dhe shpresë për të rinjtë e mbarë botës, nga shkretëtirat afrikane dhe favelit brazilian, deri te lagjet luksoze në metropole, ai tha se yjet e mëdhenj të futbollit bëhen shembuj për të rinjtë. Gjithashtu shtoi se edhe ai gjatë rinisë së tij ka stërvitur futboll për disa klube.

“Në të gjitha fazat e jetës më ka shërbyer përvoja që ma dha futbolli, e që reflektohet në disiplinë, punë ekipore dhe sjellje shembullore. Jam i bindur se futbolli dhe politika në thelb kanë shumë gjëra të përbashkëta. Sikur edhe në sport, edhe në politikë esenca është në garimin dhe konkurrencën. Njëherë duhet të fitoni në zgjedhje, më pas të merrni përgjegjësi dhe t’i shërbeni popullit. Sikur edhe në futboll, politika po ashtu është lojë ekipore në të cilën duhet kuadër i fuqishëm prej lojtarëve.

Sikur edhe një ekip futbolli pa plan dhe strategji në lojë nuk ka gjasa të fitojë trofe, ashtu edhe politikanët dhe partitë nuk kanë gjasa nëse nuk kanë çfarë t’u thonë qytetarëve të tyre. Edhe futbollisti edhe politikani duhet t’ia përkushtojnë jetën kësaj ftese që të arrijnë sukses”, tha presidenti i Turqisë.

Ai më tej theksoi se me paraqitjen e dhunës dhe agresionit, edhe futbolli edhe politika humbin karakteristikat e lojës xhentlemene, pikërisht siç e humbin atë edhe me paraqitjen e gënjeshtrave, intrigave, komploteve dhe tradhtisë.

Këtë e krahasoi me fushatën që e konsideroi të ndyrë që zhvillohet para referendumit për ndryshimet kushtetuese që do të mbahet në Turqi më 16 prill, dhe tha se kundërshtarët e reformave dhe vendosjes së pushtetit efikas dhe sistemit presidencial e mashtrojnë opinionin me gënjeshtra klasike, raporton AA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat