Terror në Rusi: Herë pas here në metro

Evropë

Terror në Rusi: Herë pas here në metro

Më: 4 prill 2017 Në ora: 08:04
Sulmi në Shën Petersburg

Rrethanat e shpërthimit në metronë e Shën Peterburgut flasin për një atentat. Një përvojë e dhimbshme, të cilën Rusia e njeh. Sepse lista e atentateve është e gjatë.

Vagona të shkretuar metroje, tym, njerëz të mbuluar nga gjaku. Edhe nëse rrethanat vazhdojnë të jenë të paqarta, pamjet e shpërthimit në metronë e Shën Petersburgut të kujtojnë viktimat e shumta të atentateve të mëparshme - për shembull para shtatë vjetësh në Moskë. 41 vetë u vranë në fund të marsit 2010, në shpërthime brenda një ore në dy trena metroje. Përgjegjëse ishin dy atentatore vetëvrasëse, të cilat vepronin të ngarkuara nga islamistë të Kaukazit verior rus.

Gjurmët të çojnë në Rusinë Jugore

Që prej mesit të viteve 1990, metroja e Moskës ka qenë herë pas here objekt i atentateve të përgjakshme. Në vitin 2004, Moska u godit dy herë. Fillimisht, në shkurt një atentator vetëvrasës shkaktoi vdekjen e 41 vetëve të tjerë, kur ndezi një bombë midis dy stacioneve. Pastaj në gusht, një grua e hodhi veten në erë dhe vrau tetë kalimtarë.

Në shumicën e herëve gjurmët e atentateve çojnë te islamistët në Rusinë Jugore, veçanërisht në Republikën e Çeçenisë. Në vitet 1990 Rusia zhvilloi atje dy luftëra kundër separatistëve.

Image

Sulm kundër metropolit të kulturës

Atentatet me një numër të madh viktimash ka disa vjet që kanë ndodhur. Në fund të vitit 2013, një valë terroriste prej sulmesh tronditi qytetin e Vollgogradit. Në shpërthime në autobusë dhe në stacionin kryesor të trenit e humbën jetën 40 vetë. Në janar 2011 një atentat me një numër të ngjashëm viktimash u krye në aeroportin e Moskës "Domodedovo".

Shën Peterburgu, qyteti i lindjes të Presidentit rus Vladimir Putin deri tani kishte mbetur i paprekur. Kjo tani i përket së shkuarës. Presidenti Putin madje ndodhej në qytet, kur shpërtheu njëri nga vagonët e metrosë.

Image

Moska i merr seriozisht kërcënimet

Misioni në Siri ishte me sa duket motivimi i vrasësit të ambasadorit të Rusisë në Turqi, në dhjetor 2016. Ambasadori Andrej Karlow u vra në një ekspozitë nga punonjës turk i sigurisë. Shteti Islamik e ka kërcënuar Rusinë tashmë me atentate dhe Moska me sa duket i merr shumë seriozisht këto kërcënime. Shërbimi i fshehtë i brendshëm, FSB raporton herë pas here për arrestimin e të dyshuarve si ekstremistë dhe për atentate të penguara. shkruan DW.

Kështu, në nëntor 2016 u arrestuan në Moskë dhe në Shën Peterburg dhjetë të dyshuar me lidhje me IS, të cilët u tha se kishin planifikuar atentate natën e ndërrimit të viteve. Pak më parë, autoritetet ruse arritën të pengojnë një atentat të Shtetit Islamik në Nishnij Novgorod. Vetëm pak ditë më parë, në fund të marsit, luftëtarë çeçenë sulmuan një bazë të gardës së Rusisë, një njësi e policisë e krijuar në vitin 2016. U vranë gjashtë ushtarë dhe gjashtë sulmues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat