Zbehja e BE-së i lë më shumë hapësirë Turqisë në Ballkan

Evropë

Zbehja e BE-së i lë më shumë hapësirë Turqisë në Ballkan

Më: 22 prill 2017 Në ora: 09:37
Ilustrim (©Shutterstock)

Zbehja e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, vlerësohet se ka shtuar ambiciet e vendeve më të fuqishme që të shtrijnë ndikimin në Ballkanin Perëndimor, përfshi edhe Kosovën. Krahas ambicieve të theksuara për rritjen e ndikimit rus në rajon, edhe Turqia, mbetet si një nga vendet më të përfolura për shtrirje ndikimi në këtë pjesë të Evropës.

Megjithatë, tash për tash, njohës të rrethanave politike, nuk besojnë që rajoni mund të rrëshqas nga orientimet integruese në Bashkimin Evropian dhe strukturat euro-atlantike.

Analisti Ilir Ibrahimi thotë se është krejt normale që shtetet më të fuqishme të provojnë të shtrijnë ndikimin në pjesë të ndryshme të botës. Por, në rastin e Turqisë, ai nuk sheh ndonjë lloj rreziku që t’i stopoj vendet e rajonit në proceset integruese evropiane, pavarësisht së tash për tash Bashkimi Evropian po ballafaqohet me sfidat e zgjerimit, sidomos pas daljes së Britanisë së Madhe.

“Nuk shoh ndonjë rrezik apo tërheqje të Bashkimit Evropian në këtë rast, sepse kemi një zbehje momentale të proceseve integruese, duke pas parasysh Brexit-in, zgjedhjet në Francë dhe zhvillimet tjera në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Por, nuk besoj që ky interes i Bashkimit Evropian për integrimin e rajonit do të dalë nga rendi i ditës”, konsideron Ibrahimi.

Në rajonin e Ballkanit, një ndikim të fuqishëm kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë Ilir Ibrahimi. Ndërkaq, kohët e fundit, interesim për të shtri ndikimin e vet vërehet edhe te Rusia, thekson ai.

“Mos të harrojmë që një shtet shumë i fuqishëm i cili është i interesuar të mbaje dhe të forcoj ndikimin e vet janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, kur kemi një fuqi të tillë, pra Shtetet e Bashkuara të cilat janë të interesuara të kenë ndikimin e tyre në rajon, për t’i bërë ballë edhe ndonjë ndikimi të mundshëm rus, atëherë nuk shoh që Turqia të ketë këtu ndonjë hapësirë të madhe”, thotë Ibrahimi.

Ndërkohë, Blerim Burjani, analist, thotë se Turqia ka shprehur në vazhdimësi interes për të shtri ndikimin në Ballkanin Perëndimor.

Por, sa i takon Kosovës, ai thotë se Kosova është përcaktuar qartë se ka orientim pro- evropian dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kështu që raportet me Turqinë ai i sheh vetëm si një miqësi të mirë dhe jo rrezik për kthim kah lindja.

“Politika e jashtme e shtetit të Kosovës është e orientuar drejt Bashkimit Evropian në mënyrë të fuqishme dhe nuk është aspak, asnjë milimetër duke shkuar kah lindja, prandaj këto raporte, kur flasim vetëm për Kosovën, janë më tepër të natyrës miqësore dhe natyrave tjera për të cilat Kosova ka pasur dhe ka përkrahje nga Turqia, sidomos në planin e njohjeve ndërkombëtare”, thekson Burjani.

Si vend mjaft i fuqishëm, Turqia në Kosovë është e pranishme me bizneset dhe investimet në shkolla e shëndetësi, kurse në një rrafsh më të gjerë, kompanitë turke u përfshinë në ndërtimin e infrastrukturës rrugore – kryesisht përmes ndërtimit të autostradave; pastaj asaj ajrore – me marrjen me koncesion të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës dhe në fushën e energjisë, duke marrë nën menaxhim sistemin e distribuimit.

Në mungesë të shifrave më të reja, vetëm gatë viteve 2004 - 2014, Turqia thuhet se ka investuar në Kosovë mbi 360 milionë euro. Përderisa, sipas shifrave zyrtare, thuhet se ka afro 700 kompani turke që veprojnë në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat