Marine Le Pen fiton pikë në sondazhin e parë pas sulmit terrorist

Evropë

Marine Le Pen fiton pikë në sondazhin e parë pas sulmit terrorist

Më: 23 prill 2017 Në ora: 05:22
Marinë Lë Pen

Kandidatja e partisë së ekstremit të djathtë për zgjedhjet presidenciale në Francë, Marinë Lë Pen ka fituar pikë në sondazhin e parë të publikuar pas sulmit terrorist. Por sërish favorit për të fituar raundin e parë mbetet Emmanuel Macron.

Në sondazhin e parë të realizuar pas atentatit të së enjtes, Marinë Lë Pen ka fituar një pikë, por mbetet akoma prapa Emmanuel Macron. Kandidatja e Frontit Kombëtar ka rritur shkëputjen me François Fillon dhe Jean-Luc Mélenchon.

Përkatësisht Macron gjendet në kuotën e 24.5% të preferencave ndërsa Lë Pen në 23%. Me këtë rezultat kandidati i qendrës mund të shpallet fitues i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë që mbahet këtë të diele.

Liderja e Frontit Kombëtar, u shpreh se i frikësohet atentateve të reja para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale: “Nuk dua të them më shumë por e dimë që ISIS ka dërguar të paktën një terrorist për të kryer atentate dhe ai është ende në qarkullim, pra rreziku është shumë i lartë”, theksoi ajo.

Lë Pen më pas shtoi se nuk besonte në asnjë mënyrë që atentati të kishte për objektiv influencimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Kandidatja e partisë së ekstremit të djathtë gjithashtu i ka kërkuar qeverisë franceze që të riintegrojë menjëherë kufijtë francezë dhe të dëbojë nga vendi të gjithë individët të sinjalizuar si radikalë e që monitorohen nga shërbimet sekrete.

“Jemi në luftë me një përbindësh”, shtoi ajo duke bërë apel për unitet kombëtar dhe kthjelltësi.

Një sulm i ashpër ka ardhur nga kryeministri francez, Bernard Cazeneuve kundër Lë Pen pas atentatit terrorist. Ai ka drejtuar gishtin ndaj kandidates së Frontit Kombëtar duke e akuzuar se po përdorë pa turp frikën për përfitime elektorale para zgjedhjeve presidenciale. “Fronti Kombëtar nxit urrejtje”, tha Cazeneuve.

“Sulmi në Paris me shumë mundësi do të ndihmojë kandidaten e ekstremit të djathtë në zgjedhjet franceze, Marinë Le Pen”. Këtë e ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump.

Por kreu i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi se nuk mbështet plotësisht Lë Pen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat