Me zor e mundim...por Franca mbetet europiane!

Evropë

Me zor e mundim...por Franca mbetet europiane!

Më: 23 prill 2017 Në ora: 13:46
Macron kryeson me 23,8 për qind të votave ndaj Le Pen

(E plotësuar) - Kandidati Emmanuel Macron është shpresa e fundit e Europës. Megjithatë një populiste triumfoi e u fut në balotazh në Francë. Kjo është një goditje historike për demokracinë, por ende jo katastrofë, mendon Bernd Riegert.

Mund të kishte ndodhur edhe më keq, por megjithatë rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë (23.04) nuk të bën të lumtur. Populistja e djathtë, Marine Le Pen renditet e dyta dhe futet në balotazh duke arritur suksesin më të madh politik të saj. Nacionalistja e pa frenuar është në ofensivë. Që nga marrja në dorë e kryesimit të partisë nga babai i saj antisemitist, ajo e ka udhëhequr Front National drejt suksesit - fillimisht në zgjedhjet lokale, ato europiane dhe tani në zgjedhjet presidenciale. Çfarë po ndodh në vendin e dytë më të madh të BE-së, që një politikane e talentuar e stratege por me botëkuptime të vjetëruara të ketë kaq sukses?

Shansi i dytë për votuesit

Le Pen vetëm për pak nuk arriti të marrë shumicën e votave. Ky është sensacioni i këtyre zgjedhjeve dhe fitorja e hidhur e demokratëve të vërtetë. Shpresa e fundit është socialdemokrati liberal Emmanuel Macron. Për të votoi arsyeja, jo emocioni. Në raundin e dytë pas dy javësh (07.05) bëhet fjalë që të arsyeshmit të votojnë për të, edhe pse nuk janë të bindur plotësisht për orientimin politik të tij.

Socialistët e konservatorët duhet dhe do të rreshtohen pas 39 vjeçarit jo me ndonjë përvojë të madhe në politikë. Sepse tani bëhet fjalë për të ndalur Marine Le Pen dhe fantazitë e saj të gjithënacionale. Disa vëzhgues zgjedhorë madje kanë folur për një efekt Trump në raundin e dytë, pra për një fitore të papritur të populistëve. Por kjo është në Francë gati e pamundur edhe për shkak të sistemit zgjedhor në këtë vend, që u mundëson zgjedhësve një shans të dytë për të marrë një vendim të arsyeshëm.

Paralajmërimi i fundit

Edhe nëse me shumë gjasë, Emmanuel Macron do t'ia dalë të hyjë në Pallatin "Elysee" këto votime mund të konsiderohen si paralajmërimi i fundit. Paraardhësit e Macron, konservatori Nicolas Sarkozy dhe socialisti i pafat, Francois Hollande nuk ia dolën të ripërtërijnë Francën, të ndërmarrin reformat e duhura ekonomike e shoqërore. Francezët në masë kanë votuar jo vetëm për të djathtën ekstreme, por edhe për të majtën ekstreme, për komunistin e vjetër, Jean-Luc Melenchon.

Image
Emmanuel Macron

Gati çdo i dyti votues ndërkohë e refuzon sistemin e deritanishëm. Të kujtojmë që asnjë nga partitë tradicionale franceze nuk ka dalë në balotazh. Këtë moment duhet të shfrytëzojë Macron. Ai duhet të bëjë sërish për vete francezët e pasigurtë, të sjellë në mesin e shoqërisë ata që ndjehen të lënë mbrapa nga zhvillimet ekonomike, ata që ndjehen të kërcënuar nga të huajt e emigrantët. Kjo do të jetë detyra e tij më e vështirë.

Fqinjët e Francës dhe Bashkimi Europian, që të dielën mbajtën frymën për rezultatin zgjedhor, mund të qetësohen disi. Franca do të qëndrojë në eurozonë dhe nuk do të largohet nga NATO, siç do të vepronte Le Pen. Por europianët nuk mund të vazhdojnë të sillen më si më parë. Franca -si një shtyllë e fortë e BE-së përkrah Gjermanisë nuk është më aq e vetëkuptueshme, si mendohej. Emmanuel Macron do të shtrojë kërkesa ndaj BE-së. Ai kërkon lehtësime fiskale. Gjermania duhet të reduktojë suficitin tregtar me Francën. Ky nuk ka për të qenë një udhëtim i lehtë për kancelaren Merkel, por Macron duhet të ndihmohet. Europa duhet t'u tregojë francezëve, se ia vlen zgjidhje e arsyeshme kundër populizmit dhe izolacionizmit.

E në fund edhe diçka: Kësaj here sondazhet ia qëlluan: Pra demoskopët nuk i kanë të humbura shpresat, megjithë prognozat e gabuara për Brexit, Trump dhe zgjedhjet në Holandë./dw

Macron kryeson me 23,8 për qind të votave ndaj Le Pen

Kandidati i qendrës, pro-evropiani, Emmanuel Macron kryesoi me shumicë votash ndaj kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen në turin e parë të zgjedhjeve presidenciale franceze pas njoftimit të rezultateve të turit të parë.

Për institutin Harris Interactive Emmanuel Macron kryeson me 23,8 për qind të votave kundër 21,7 për qind për Marine Le Pen.

Marine Le Pen: Është një rezultat historik

Drejtuesja e ektremit të djathtë, Marine Le Pen, kualifikuar për turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale franceze së bashku me pro-evropianin, Emmanuel Macron, përshëndeti një rezultat historik për formacionin e saj.

“Etapa e parë që do të çojë francezët në Elysee u kalua. Është një rezultat historik”, deklaroi Le Pen duke shtuar se turi i dytë më 7 maj do të sillte francezët për të zgjedhur mes “globalizimit të egër” mishëruar nga rivali i saj ose “alternativën e madhe” që ajo përfaqëson.

Macron: Kthyem një faqe të jetës politike franceze

Kandidati i qendrës, Emmanuel Macron, i cili kryeson në turin e parë të zgjedhjeve presidenciale theksoi sot u kthye qartësisht një faqe e politikë franceze.

“Francezët shprehën dëshirën e tyre për ndryshim. Logjika jonë është tashmë ajo e bashkimit që ne do të vazhdojmë deri në zgjedhjet legjislative”, deklaroi ish-ministri i Ekonomisë, 39 vjec, i cili dha dorëheqjen nga qeveria në muajin gusht për të formuar lëvizjen e tij politike.

***

Kandidati i pavarur për president të Francës, Emmanuel Macron ka thënë se Franca tashmë është kthyer në një faqe të re në historinë politike.

Macron sipas exit poll ka fituar zgjedhjet me mbi 23% të votave.

“Francezët kanë shprehur dëshirën për ndryshim. Është e qartë se ne do të kthejmë një faqe të re të historisë politike në Francë”, ka thënë Macron.

Macron gjatë gjithë kohës ka prirë në sondazhe, të cilat kanë bërë të ditur se ai do të jetë president i ri i Francës.

Image

 

Macron e Le Pen në balotazh

Kandidati i qendrës Emmanuel Macron dhe udhëheqësja e të djathtës ekstreme Marine Le Pen kanë fituar në rrethin e parë të votave për zgjedhjet presidenciale në Francë, thonë rezultatet e projektuara.

Image
Emmanuel Macron

Zoti Macron mori 23.7 për qind ndërkohë që zonja Le Pen mori 21.7 për qind të votave, ka bërë të ditur Televizioni Francez.

Të dy kandidatët janë sfiduar nga François Fillon i qendrës së djathtë dhe ai i të majtës ekstreme Jean-Luc Mélenchon, thonë projeksionet, transmeton BBC.

Macron dhe Le Pen do të përballen në balotazh më 7 Maj.?

Cilido që të fitojë në rrethin tjetër, votimet do të shënojnë një ndryshim nga partitë e majta dhe ato të qendrës së djathtë që kanë dominuar për një kohë të gjatë politikën franceze, thotë BBC.

Pjesëmarrja në zgjedhje në nivel kombëtar duket të jetë e ngjashme me atë të zgjedhjeve të vitit 2012.

Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel në rrjetin e tij social Twitter e ka përgëzuar Emanuel Macron, pasi sondazhet sugjerojnë se kandidati i qendrës, në rrethin e dytë më 7 maj do të garojë së bashku me udhëheqësen e të djathtës ekstreme Marine Le Pen.

Zoti Michel tha se ishte ‘optimist’ për rezultatin dhe për “projektin evropian që shikon përpara”.

Image
Marine Le Pen

Shikoni votat që ka marrë secili kandidat:

Emmanuel Macron: 23.7%

Marine Le Pen: 21.7%

François Fillon: 19.5%

Jean-Luc Mélenchon: 19.5 %

Benoît Hamon: 6,2 %

Nicolas Dupont-Aignan: 5 %

Jean Lassalle: 1,5 %

Philippe Poutou: 1,2 %

François Asselineau: 0,8 %

Nathalie Arthaud: 0,7%

Jacques Cheminade: 0,2 %

Image
Francezët janë thirrur të votojnë për të zgjedhur mes 11 kandidatëve, katër prej të cilëve me diferencë të vogël mbështetjeje, në këto zgjedhje aq të paparashikueshme dhe vendimtare për Bashkimin Evropian.

Presidencialet në Francë; Macron e Le Pen në balotazh

Qendrat e votimit në ato që konsiderohen si zgjedhje vendimtare jo vetëm për Francën, por edhe për fatin e europës ende nuk janë mbyllur e megjithatë parashikimet e para kanë filluar të publikohen.

4 janë pretendentët kryesorë për të pasur Fransua Holand në krye të elizese, kandidati pro europian i qendrës Emanuel Macron, populistja e se djathtës ekstreme Marin Le Pen, konservatori Fransua Fillon dhe i majti euroskeptik Jean-Luc Melenshon.

Sondazhet sugjerojnë se gara është aq e ngushtë sa cilido prej tyre mund të shkoje në balotazhin e 7 Majit që do të vërë përballë 2 kandidatët me numrin më të lartë të votave.

Sipas një exit-poll-i jozyrtar të RTBF, shërbimi radioteleviziv publik belg, Macron rezulton të jetë në krye me 24 për qind të mbështetjeve, i ndjekur nga Le Pen me 22 për qind.

Fillon pozicionohet i treti me 20.5 për qind të mbështetjeve ndërsa Jean-Luc Melenchon rezulton në vend të katërt me 18 për qind. E megjithatë mediat franceze paralajmërojnë qe sondazhi te trajtohet me shume kujdes.

Ministria e Brendshme njoftoi se pjesëmarrja deri në orën 17:00 të pasdites ishte 69.42 për qind, pak më e ulet se sa në zgjedhjet e 2012-tës. 

Një prej qendrave të sondazhit, IFOP, parashikon se pjesëmarrja përfundimtare do të jetë rreth 80%, një shifër e lartë kjo, por jo një rekord absolut.

Këto janë cilësuar si zgjedhjet me numrin më të lartë të personave të pavendosur, e megjithatë shumica e qytetareve janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e tyre.

“Është e vërtetë se të gjitha zgjedhjet janë vendimtare, por këto janë veçanërisht të rëndësishme pasi mund të përcaktojnë edhe fatin e europës .Unë besoj tek Evropa e nëse nuk do të votoja sot nuk do t'ia falja vetes”, u shpreh një votues. 

Komuniteti mysliman ndihet veçanërisht i përfshirë përballë mundësisë së fitores së kandidates kundër emigracionit Marine le Pen. 

"Nuk votova për Le Pen, për shkak të programit të saj. Ajo nuk përqendrohet tek gjerat konkrete që i interesojnë shoqërisë tonë, si papunesia, por vetëm tek kufijtë e emigracioni", thotë një tjetër votuese.

Kush po kryeson në zgjedhjet në Francë?

Pjesëmarrja në raundin e parë të zgjedhjeve në Francë ishte më e lartë sesa pritej në mesditë.

Në mesditë, ministria e brendshme tha se 28.54 për qind e votuesve kishin hedhur votat e tyre, ku ky rezultat llogaritet të jetë pjesëmarrje më e lartë se e zgjedhjeve të vitit 2012 ku pjesë e tyre ishin 28.29 për qind votues.

Sipas një sondazhi nga mediat belge, kandidati i pavarur i qendrës, Emmanuel Macron është duke prirë para lideres së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Rreth 67,000 vendvotime u hapën sot në mëngjes ku rreth 47 milionë votues me të drejtë vote, do të zgjedhin midis 11 kandidatëve.

Votimi i së dielës është zgjedhja më e paparashikueshme në brezat e ardhshëm.

Image
Sipas një sondazhi nga mediat belge, kandidati i pavarur i qendrës, Emmanuel Macron është duke prirë para lideres së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Presidencialet në Francë, pjesëmarrja arrin në 69,42 për qind

Përqindja e pjesëmarrjes në turin e parë të zgjedhjeve presidenciale franceze arriti në 69,42 për qind në orën 17:00 (15:00 GMT), sipas Ministrisë së Brendshme, në rënie të lehtë në raport me turin e parë në vitin 2012 (70,59 për qind), por një prej më të mirëve që prej 40 viteve.

Francezët janë thirrur të votojnë për të zgjedhur mes 11 kandidatëve, katër prej të cilëve me diferencë të vogël mbështetjeje, në këto zgjedhje aq të paparashikueshme dhe vendimtare për Bashkimin Evropian.

Përqindja e abstenimit në turin e parë të zgjedhjeve presidenciale pritet të arrijë në 19-22 për qind, sipas vlerësimeve të disa instituteve.

Niveli i mobilizimit të 47 milionë zgjedhësve është një prej çelësave të këtyre zgjedhjeve, ndërkohë që një e katërta janë shprehur të pavendosur para turit të parë

Zgjedhjet në Francë: Pjesëmarrja deri në mesditë 28.54 %

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë, është duke u zhvilluar.

Ndërkaq deri në mesditë, sipas raportimeve të ministrisë franceze, pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje është 28.54 për qind.

Ky rezultat llogaritet të jetë pjesëmarrje më e lartë se e zgjedhjeve të vitit 2012 ku pjesë e tyre ishin 28.29 për qind votues.

Image
Pjesëmarrja deri në mesditë 28.54 %

Francë: Zgjedhje dramatike presidenciale, me masa të shtuara sigurie

Në Francë po mbahen zgjedhjet presidenciale, derisa janë shtuar masat e sigurisë.

Votimet e sotme në kuadër të rrethit të parë të zgjedhjeve tejet dramatike, mund të kenë ndikim të madh në situatën gjeopolitike në përgjithësi, përfshirë të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe raportet e perëndimit me Rusinë.

Më se 60 mijë vendvotime janë hapur në orën 8:00 të mëngjesit, ndërsa në orët e para të votimeve është shënuar dalje prej 28.54% e zgjedhësve, ka njoftuar Ministria e brendshme e Francës. Kjo përqindje është pak më e lartë se ajo që është regjistruar në të njëjtën kohë të zgjedhjeve në vitin 2012.

Zgjedhjet, që janë më të paparashikueshmet në votimet presidenciale në Francë për disa dekada, mbahen vetëm disa ditë pas vrasjes së një oficeri të policisë në Paris, për të cilin përgjegjësinë e kishte marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS). Kjo gjë e ka vënë çështjen e terrorizmit dhe të sigurisë në ballë të garës zgjedhore, ku marrin pjesë gjithsej 11 kandidatë, por katër prej tyre konsiderohen favoritë.

Image
Autoritetet thonë se në ditën e zgjedhjeve, në gjithë Francën, janë aktivizuar afro 50 mijë policë dhe 7 mijë ushtarë.

Në Francë ende është në fuqi gjendja emergjente pas një serie të sulmeve, nga të cilat prej vitit 2015 janë vrarë më se 230 vetë.

Sipas hulumtimeve të opinionit, kandidati i qendrës, Emmanuel Macron, dhe liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, janë favoritë në raundin e parë të zgjedhjeve, megjithëqë kandidati konservator, Francois Fillon, dhe politikani i së majtës ekstreme, Jean-Luc Melenchon, po ashtu, konsiderohet se kanë gjasë për tu kualifikuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 7 maj.

Në një incident në ditën e zgjedhjeve, afro gjashtë demonstruese pa veshje të sipërme, nga grupi i aktivisteve feministe, Femen, janë arrestuar sot herët në mëngjes, afër një vendvotimi në Paris, ku kandidatja Le Pen, ishte nisur për të votuar.

Protestueset kërcyen para një makine duke bartur maska të politikanes franceze të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, por ishin larguar me të shpejtë nga policia. Pak pas këtij incidenti, Le Pen votoi.

Kandidati Emmanuel Macro votoi në qytetin bregdetar, Le Touquet, në pjesën veriore të Francës, së bashku me bashkëshorten e tij, Brigitte.

Vlerësohet se zgjedhësit e papërcaktuar e përbëjnë gati një të katërtën e votuesve. Rrjedhimisht, vëzhguesit politikë thonë se vrasja e policit para disa ditëve në Shamp-Elize, mund të jetë epërsi për kandidatët që shihen si më të ashpër në terrorizëm dhe siguri.

Pas këtij sulmi, Le Pen e portretizoi vetveten si kandidate e vetëm e aftë për ta mbrojtur vendin kundër ekstremistëve islamikë.

Liderja e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen, 48 vjeçare, është kritikuar për shfrytëzim të sulmit për përfitime politike.

Fitorja eventuale e zonjës Le Pen, me politikën e saj kundër imigrimit dhe kundër Bashkimit Evropian, do ta shënonte vazhdimin e rritjes së ndjenjës izolacioniste në gjithë botën perëndimore, që e ndihmoi dërgimin e Donald Trumpit në presidencën amerikane dhe referendumin për dalje të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Franca është anëtare kryesore e NATO-s dhe është shtyllë e unitetit të Bashkimit Evropian në përgjigje ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë së Ukrainës dhe për mbështetjen e Moskës për separatistët e armatosur në pjesën lindore të Ukrainës. Për këtë arsye, perëndimi ka imponuar sanksione kundër Rusisë.

Sikur zoti Trump, edhe Le Pen, në të kaluarën, ka folur me admirim për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe e ka mbështetur tërheqjen e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë.

Pas një vizite në Moskë gjatë muajit të kaluar, me ç’rast është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, ajo e ka kritikuar atë që e ka quajtur “vizion militant” të Bashkimit Evropian.

Në shumë hulumtime të opinionit, Marine Le Pen plasohet në vendin e dytë, pas kandidatit Macron në raundin e parë, por për raundin e dytë duket se ajo nuk ka gjasë të fitoj kundër ish-ministrit të ekonomisë, Emmanuel Macron, që është politikan pro-evropian.

Zoti Macron e ka marrë një pozicion më të ashpër kundër Rusisë në mesin e katër kandidatëve kryesorë presidencialë, duke i mbështetur sanksionet e BE-së kundër Moskës dhe duke e akuzuar Kremlinin se është i involvuar në sulmet kibernetike, kundër fushatës së tij.

Rusia disa herë i ka hedhur poshtë akuzat se është përpjekur të ndikoj në zgjedhjet franceze.

Franca voton, Europa mban frymën

Populistja e djathtë, Marine Le Pen pritet ta kalojë pa asnjë problem pengesën e parë për në pallatin presidencial në zgjedhjet e 23 prillit në Francë. Ajo mund të bllokohet vetëm në balotazh, por nga kush?

Gara për zgjedhjet presidenciale në Francë është hapur. Sondazhet u japin katër konkurrentëve - nga të 11 kandidatët e paraqitur - shanse reale për të kaluar në balotazh më 7 maj. Ndërsa dy kandidatë, populistja e djathtë e Frontit Nacional, Marine Le Pen dhe liberali Emmanuel Macron, që ka dalë në votim me një parti të re, shihen prej javësh si pretendentët kryesorë. Sondazhet nxjerrin herë Le Pen e herë Macron si fitues. Edhe radikali i majtë, Jean-Luc Mélechon dhe konservatori Francois Fillon kanë shanse të mira, me disa pikë pas dy rivalëve kryesorë.

Stephane Wahnich, i specializuar për votimet në Francë paralajmëron në intervistë me DW: „Në thelb nuk dimë gjë të saktë. Në Francë kemi shumë votues të pavendosur. Gati një e treta e tyre vendos në ditën e zgjedhjeve se kujt do t'ia japë votën." Profesori për studimet e elektoratit ankohet, se elektorati francez nuk është më i stabilizuar, duke shtuar se kjo e bën të vështirë edhe dhënien e prognozave. „Në këtë fushatë zgjedhore po mbivlerësohen sondazhet", thotë ai.

Kombinimet e mundshme

Populistja Le Pen dështoi në zgjedhjet e vitit 2012 në raundin e parë. Kësaj here ajo duket se e ka të sigurtë balotazhin. Partia socialiste ende parti qeverisëse me presidentin jo popullor Francois Hollande nuk luan rol më në këtë fushatë. Edhe kjo është një risi në politikën franceze. E Majta është e përçarë si kurrë më parë. Nga ana tjetër të habit ngritja në renditje e komunistit të vjetër, Jean-Luc Mélenchon, që gëzon popullaritet veçanërisht tek të rinjtë me parulla kundër BE-së dhe tatimit 100% të të pasurve. Ai refuzon globalizmin dhe tregtinë e hapur. Publicisti Alfred Grosser e shpjegon në Deutschland Funk popullaritetin e Mélechons me aftësinë e majtistit për t'iu dhënë të rinjve mundësinë për revoltë përmes votës.

Le Pen do të largohet ne BE dhe NATO

Kurse Marine Le Pen ka punuar në këtë fushatë me të njëjtat metoda si presidenti Donald Trump. Ajo nxiti frikën dhe premtoi izolimin, si rikthim në kohët e mira. "Kufijtë kombëtarë do të rivendosen”, deklaroi Le Pen para përkrahësve të saj që brohorasin. Ajo dëshiron të bllokojë imigrimin, qoftë ai legal apo ilegal. "Shikoni botën që po ndryshon para syve tuaj. Po vjen diçka e re, dhe unë jam personi i duhur, që flet në emër të Francës. Ky është shansi ynë.” Le Pen do të largohet nga BE dhe NATO, dhe nuk është e vetme me qëndrime të tilla.

Vetëm liberali Emmanuel Macron paraqitet si proeuropian I flaktë, një ish-socialist, që me moshën 39 vjeçare është kandidati më i ri në garën presidenciale. "Unë mbroj Europën e shteteve sovrane. Sovranitet do të thotë në raste konkrete të mbrojmë shpirtrat tanë dhe vlerat tona. Nuk mund t'ia lë idenë e sovranitetit të djathtëve ekstremë, të majtëve ekstremë dhe gënjeshtrave të tyre”, tha Macron në një fjalim në Berlin në janar të këtij viti.

Partitë tradicionale në krizë

Kandidati konservator, Francois Fillon ka humbur shumë pikë në elektorat, pas bërjes publike të skandalit për punësimin në hije të familjarëve të tij në kurriz të fondeve publike. Fillon, që ka një lloj skepticizmi ndaj Europës, ka pak shanse të dalë në balotazh. Në fushatë ai sheh politikën buxhetore gjermane si arsye të dobësisë ekonomike të Francës. „Gjermanët nuk mund të mbajnë superficitet e tyre buxhetore, në një kohë, kur ushtarët francezë rrezikojnë jetën në Sahel për të luftuar terrorin dhe islamizmin. Gjermanët duhet të pranojnë, se duhet të marrin pjesë më shumë në operacione ushtarake dhe të ndajnë përgjegjësinë europiane" , tha Fillon në një debat televiziv.

Por nga skandalet nuk ka shpëtuar as Marine Le Pen. Ajo akuzohet për keqpërdorim të fondeve të parlamentit, por këto skandale me sa duket kalojnë pa u vënë re tek përkrahësit e saj.

Në fund Macron?

Pas raundit të parë të votimeve të së dielës, duket se sa ka disa mundësi kombinimi për balotazhin. Më i mundshmi është dueli Macron-Le Pen. Nëse kjo ndodh, atëherë Macron mund ta mundë Le Pen në balotazh, me 65% kundrejt 35% të votave. Publicisti Alfred Grosser megjithatë thotë se nuk ka ndonjë garanci për „suksesin e votimit të të arsyeshmëve". Edhe profesori francez Wahnich është i kujdesshëm. "Nëse sondazhet e shohin Macron si fitues të qartë në një balotazh kundër Le Pen, dhe shtypi po ashtu e nxjerr fitues, ka gjasa që realisht të ndodhë diçka tjetër.”

Prognozat që e nxjerrin Macron fitues, mund të bëjnë që shumë votues të mos shkojnë në balotazh për të votuar për Macron. Liberali Macron si politikan i ri nuk ka ende një bastion votuesish të tijin, ndryshe nga përkrahësit e Le Pen, që janë votues mjaft besnikë. "Në këtë rast do të përjetonim një surprizë dhe Marine Le Pen do të zgjidhej presidente”, thotë eksperti francez.

Në vitin 2012 pjesëmarrja në votime ishte 80%, ose 35 milionë vetë. Kësaj here parashikohet një rënie në 65% duke i bërë edhe më të vështira prognozat. Rezultatet e para priten rreth ores 20:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat