Nga financa në Elysee. “Alieni” ndihet që tani fitimtar

Evropë

Nga financa në Elysee. “Alieni” ndihet që tani fitimtar

Nga: Roberto Fabri Më: 24 prill 2017 Në ora: 16:08
Emmanuel Macron

Nga krijues prej hiçit i një partie “as të djathtë dhe as të majtë”, në favorit për të hyrë në Elysee (Pallatin Presidencial francez), në balotazhin e 7 majit. Dhe është vetëm 39 vjeç. Legjenda e “enfant prodige”, Emmanuel Macron jo vetëm që vazhdon, por ajo premton të jetë vetëm fillimi.

Në qoftë se, ashtu si parashikojnë të gjitha sondazhet e opinionit, ai do të mundë lehtësisht Marine Le Pen pas dy javësh, ish-ministri i Ekonomisë i qeverisë së François Hollande do të fitojë presidencën, duke thyer për herë të parë pas disa dekadash, duopolin historik golistë-socialistë. Një duopol që u fundos pjesërisht nga evoluimi i shoqërisë franceze, dhe pjesërisht nga provat zhgënjyese të ofruara nga dy presidentët e fundit, Sarkozy dhe Hollande (pa harruar marrëzinë e François Fillon me punët e rreme për gruan dhe fëmijët e tij, në ngarkim të tatimpaguesve).

Ndërsa dy partitë “fituese të përjetshme”tashmë po “lëpijnë plagët” dhe me siguri do të nisin larjet e brendshme të hesapeve, Macroni përgatitet për të udhëhequr Francën. Por për tabërë me dinjitet do t’i duhet që të kapërcejë një pengesë tjetër, jo më pak të frikshme se zgjedhjet presidenciale: zgjedhjet legjislative, të planifikuara në dy raunde, më 11 dhe 18 qershor. Me atë rast do të shohim nëse partia e tij e re “En Marche” (inicialet e të cilës janë E. M. ashtu si edhe emri i tij) ia del të marrë një shumicë historike në Parlament; përndryshe, presidenti më i ri i Republique, do e gjejë veten në gjurmët e paraardhësve si François Mitterrand dhe Jacques Chirac, të dënuar për bashkëjetesë me një Asamble Kombëtare, dhe pastaj me një qeveri, me ngjyra të ndryshme nga e tyrja.

Sigurisht, socialistët dhe të djathtët e qendrës që u mundën, do të kërkojnë një “revansh” në zgjedhjet parlamentare. Por këto janë probleme të nesërmes. Sot, Emmanuel Macron është në momentin e tij magjik, ku mund të shijojë fitoren e menjëhershme. Ai e di se në 7 maj, gjithmonë nëse nuk bëhen gabime shumë të mëdha, drejt tij do të shkojnë votat e një shumice dërrmuese të francezëve – të djathtë dhe të majtë – të cilët do të votonin për këdo, por jo për të parë Marine Le Pen të hyjë në Elysee. Ai e di, në të njëjtën kohë, se nuk mund dhe nuk duhet të paraqitet vetëm si kandidati “kundër dikujt”, por se ka ardhur koha që të kryejë detyrën që i ka caktuar vetvetes, për të përfaqësuar një Francë të re, më në fund të divorcuar nga konfrontimi ideologjik mes të majtës dhe të djathtës.

Fjalët e tij të para dje në mbrëmje, pasi mësoi të dhënat fillestare ishin: “Ne kemi kthyer një faqe të historisë.” Ai do të ketë në favorin e tij, përveç lodhjes së francezëve me ligjikat e politikës së vjetër, karakteristikat e veçanta të karizmës së tij personale: forcën intelektuale që e bëri që, në të tridhjetat të shkëlqejnë në botën e financave, energjinë rinore, forcën e karakterit që tregoi kur braktisi Hollande vitin e kaluar, për t’i hyrë një rruge të re politike.

Kundër tij mund të luajë antipatia instinktive e “Francës së thellë” ndaj një të riu që vjen nga shkollat e elitës, pro-evropian dhe që ndihet mirë në botën e bankave të mëdha, pak i prirur për të pranuar se emigracioni, sidomos islamik, përfaqëson për njerëzit një problem të vërtetë, dhe se lidhja ndërmjet këtij dhe terrorizmit që ka gjakosur Francën është një gjë e mirëqenë.

Kundërshtarja e tij sovraniste do të luftojë deri në minutën e fundit, por Macroni nuk ka pse i trembet asaj. Do të jenë kundërshtarët e tij të sotëm që do e ndihmojnë. Rivali që e trembte ishte François Fillon, por ai u mund vetë, me ndihmën e vogël të “Le Canard Enchainé”. /Il Giornale/bota.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat