Francë: Inteligjenca e fajëson Assadin për sulmin kimik në Siri

Evropë

Francë: Inteligjenca e fajëson Assadin për sulmin kimik në Siri

Më: 26 prill 2017 Në ora: 14:07
Ministri Ayrault sot duke dhënë deklaratë para gazetarëve në Paris

Një raport i inteligjencës së Francës ka konkluduar se forcat lojale ndaj presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, e kanë kryer sulm me gazin nervor sarin, më herët këtë muaj, në pjesën veriore të Sirisë dhe se Assadi ose anëtarët e rrethit të tij më të afërt e kanë urdhëruar sulmin.

“Nuk ka dyshim se është përdorë gazi sarin” në sulmin e dyshuar në qytetin, Kan Sheikun, u tha mediave sot në Paris, ministri i jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, pas prezentimit të raportit.

“Po ashtu, nuk ka dyshim për përgjegjësinë e regjimit të Sirisë, duke pasur parasysh mënyrën se si është prodhuar sarini i përdorur”, tha ministri Ayrault.

Së paku 86 vetë janë vrarë në sulmin e dyshuar me armatim kimik, i cili ka ndikuar që Shtetet e Bashkuara të përgjigjen me sulme raketore kundër një baze ajrore siriane, që ishte sulmi i parë amerikan kundër qeverisë së Assadit në luftën e deritashme 6 vjeçare.

Raporti sekret prej gjashtë faqeve, i përpiluar nga ushtria dhe shërbimet e jashtme të inteligjencës së Francës, thotë se konkludimin e vet e ka arritur nga mostrat e siguruara nga mbetjet në terren nga sulmi dhe mostrat e gjakut nga viktimat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat