Rusi: Ish-shefi i policisë kundër korrupsionit dënohet për korrupsion

Evropë

Rusi: Ish-shefi i policisë kundër korrupsionit dënohet për korrupsion

Më: 27 prill 2017 Në ora: 19:30
Denis Sugrobov gjatë seancës së sotme gjyqësore në Moskë

Ish-shefi i Drejtoritatit për antikorrupsion dhe krime ekonomike i Ministrisë së brendshme të Rusisë, Denis Sugrobov, është dënuar me 22 vjet burg lidhur me akuza për korrupsion.

Gjykata e Moskës në vendimin e sotëm tha se Sugrobov e kishte keqpërdorë zyrën publike për të krijuar grup kriminal.

Sugrobov dhe disa bashkëpunëtorë të tij ishin arrestuar në vitin 2014 të dyshuar për përfshirje në organizimin e grupit kriminal, marrje të ryshfetit dhe për tejkalim të kompetencave të tyre.

Njëri nga bashkëpunëtorët e Sugrobovit, gjenerali Boris Kolesnikov, ka vdekur pas kërcimit nga kati i gjashtë i ndërtesës së Komitetit të Hetimit në Rusi, në korrik të vitit 2014, ndërsa autoritetet këtë rast e kanë përshkruar si vetëvrasje.

Eduard Isetsky, avokat i zotit Sugrobov, tha se do të ushtrohet ankesë në vendimin gjyqësor kundër klientit të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat