Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca ushtarake është pranë vendimit për të rritur ose jo numrin e ushtarëve të saj në Afganistan, për t’i ndihmuar këtij vendi në luftën kundër kryengritësve islamikë.
Stoltenberg i tha gazetës gjermane Welt am Sonntag se NATO, e përballur me situatën sfiduese të sigurisë, mund të rrisë numrin e personelit në Afganistan nga 13,000 sa është aktualisht.
Stoltenberg nuk dha shifër tjetër specifike, por tha se aleanca do të marrë vendimin në qershor.
Trupat e NATO-s janë në Afganistan për të trajnuar, ndihmuar dhe këshilluar forcat lokale.
Forcat e udhëhequra nga SHBA-ja kanë arritur në Afganistan 16 vjet më parë dhe kanë dëbuar talibanët nga pushteti.
Megjithatë, prejse NATO ka përfunduar formalisht misionin luftarak në vitin 2014, talibanët kanë intensifikuar sulmet.