Turqi: „Si mund të punosh në këto kushte?"

Evropë

Turqi: „Si mund të punosh në këto kushte?"

Më: 21 maj 2017 Në ora: 09:07
Nazire Kalkan Gürsel

Kadri Gürsel është njëri nga gazetarët e arrestuar të gazetës turke "Cumhuriyet”. Nga 31 tetori i vitit 2016, ai ndodhet në burgun e Silivrisë në Stamboll. Gürsel akuzohet për „vepra në emër të një organizate terroriste", „pa qenë anëtar i kësaj organizate terroriste". Seanca e parë gjyqësore zhvillohet më 24 korrik. Gürsel është presidenti i komitetit kombëtar turk të International Press Institute (IPI). Këtë vit në fokus të konferencës mediatike të IPI-t që u zhvillua nga 18-20 maj, në Hamburg ishte Turqia. Bashkëshortja e tij Nazire Kalkan Gürsel mori pjesë aty dhe ka solli në Hamburg një mesazh të bashkëshortit të saj.

DW: Zonja Gürsel, ka 200 ditë që bashkëshorti juaj ndodhet në burg. Kur e keni parë për herë të fundit?

Nazire Gürsel: Nuk e mendonim se do të zgjaste kaq gjatë. Na lejohet një herë në javë një vizitë e izoluar, (vizita, ku komunikimi kryhet i ndarë me xham, shën. red.), megjithëse ligji na lejon një vizitë të hapur në muaj. Por nuk e lejojnë këtë as edhe një herë në dy muaj. Djali ynë 10-vjeçar e ka parë babanë vetëm tre herë në këtë kohë. Ne e përjetojmë këtë si një katastrofë familjare. Gazetarët e "Cumhuriyet" u arrestuan në kuadër të një aksioni të policisë, që zgjati 1 orë. Ato u futën në Silivri në burg pa akuzë, dhe duhej të prisnin dy muaj derisa të dilnin para gjykatësit. Në këto kushte as ne, as ata nuk ndjehen mirë.

Çfarë mbështetje keni nga IPI?

IPI na mbështet më së shumti, por edhe Parlamenti Europian, Këshilli i Europës dhe Kombet e Bashkuara. Tani ky rast ka kaluar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut. IPI na ka ndihmuar që ditën e parë, e ngaqë Kadri ka qenë anëtar kryesie, edhe vetë ata ndjehen të lënduar. Për herë të parë në historinë e IPI-t ndodhet një anëtar kryesie në burg.

Shqetësimi për lirinë e shtypit në Turqi është një temë e rëndësishme e politikës gjermane. Çfarë mbështetje prisni nga Gjermania?

Nuk e ndaj këtë në ndihmë që vjen nga Gjermania, Turqia, Anglia apo Franca. Në të gjitha vendet ka njerëz që kanë respekt para lirive të njeriut, e të tjerë që kanë më pak respekt. Gjermania është një vend i rëndësishëm në Europë e botë. Mendoj se si qeveria edhe shoqëria veprojnë me përgjegjësi.

Edhe reporteri i "Die Welt", Deniz Yücel ndodhet në burgun e Silivrisë. Ka kritika, që ai gëzon mjaft mbështetje gjermane, sepse është shtetas gjerman. Çfarë mund të thoni për këtë?

Po, e di që ka kritika të tilla. Deniz Yücel nuk ishte i njohur më parë për publikun turk. Tani e njeh gjithkush, edhe në Gjermani ai është më i njohur tani. Për këtë vëmendje më të veçantë të Gjermanisë ndaj mikut tonë, duhet mirëkuptim. Megjithatë kjo nuk duhet të kufizohet tek persona të caktuar, por shkeljet e lirisë së shtypit në Turqi duhen parë nga një perspektivë më e gjerë.

Për shkak të shtypjes pas dështimit të puçit ushtarak në Turqi më 15 korrik, shumë gazetarë janë larguar nga vendi. Si e shihni këtë tendencë?

Sigurisht që është për të ardhur keq, por a mund t'i kritikojmë këta njerëz? Gazetaria në Turqi është bërë tani gati e pamunudr. Po qe se je gazetar në Turqi, ka shumë gjasa që të arrestohesh. E po qe se arrestohesh, është e sigurtë, që do të qëndrosh në burgun e arrestit me muaj, pa dalë para gjykatësit, ose pa e përjetuar një procedurë gjyqësore të drejtë. Si mund të punosh në këto kushte si gazetar? Prandaj njerëzit kërkojnë kanale e rrugë të tjera. Besoj se zemrat e këtyre njerëzve janë në Turqi.

Nëse bashkëshorti juaj nuk do të ndodhej në burg, a do të largoheshit edhe ju nga vendi?

Kam pasur oferta në këtë drejtim. Por ne nuk kemi qenë të interesuar, dhe nuk do të jemi as në të ardhmen.

Bisedën e zhvilloi Gezal Acer.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat