Itali, bosi i Mafias ekzekutohet teksa shëtiste me biçikletë

Evropë

Itali, bosi i Mafias ekzekutohet teksa shëtiste me biçikletë

Më: 23 maj 2017 Në ora: 07:52
Giuseppe Dainotti, i vrarë

Vrasja e një prej bosëve të mafias, teksa shëtiste me biçikletë në Siçili, ka rikthyer vëmendjen tek grupi criminal Cosa Nostra.

Giuseppe Dainotti, 67-vjeç, u ekzektua në një atentat tipik mafioz, ndërsa raste të tilla ishin mjaft të rralla në Itali, pasi disa prej figurave më të rrezikshme gjenden në burg.

Ngjarja e ndodhur ditën e hënë risjell në vëmendje dhunën në qytetin e Palermos, pikërisht në 25-vjetorin e vrasjes së prokurorit Giovanni Falcone.

Fotografitë nga skena e krimit tregojnë trupin e Dainotti-t të mbuluar me çarçafin e bardhë, ndërsa këpucët dhe biçikleta e tij janë të vetmet objekte të dukshme.

Prokurori i Palermos, Francesco Lo Voi tha se ekzekutimi ishte një paralajmërim për shtetin se gjer tani, Cosa Nostra mund të ketë qëndruar në hije, por kjo nuk do të thotë se është mposhtur.

“Kur disa njerëz thonë se mafia nuk ekziston, apo se ajo është shkatërruar, diçka ndodh për të na kujtuar se ajo është ende aty,” deklaroi Lo Voi.

Vrasja e Falcone-s në vitin 1992 dhe juristit tjetër, Paolo Borsellino në një atentat të dytë në korrikun e po të njëjtit vit, nxiti nisjen e një sulmi të gjerë kundër mafias, që përfundoi me arrestimin e disa prej figurave kyçe të saj.

Ndërkaq, grupi Siçilian që dikur sundonte Italinë, është tejkaluar vitet e fundit nga të pamëshirshmit e Ndragheta-s në Kalabri dhe Camorra në Napoli.

“Një vrasje e tillë, pranë një shkolle dhe në përvjetorin e kujtimit të masakrës ndaj Falcone-s, tregon se sa kompleks është fenomeni i mafias,” është shprehur Enzo Letizia, sekretar shoqatës kombëtare të policisë.

Giuseppe Dainotti, mendohet të ketë qenë mik i ngushtë i Salvatore Cancemi, një tjetër bos i rëndësishëm i mafias, i përfshirë në përgatitjen dhe ekzekutimet e Falcone-s dhe Borsellino-s.

Në vitin 1993, Cancemi u vetëdorëzua duke u kthyer në bashkëpunëtor të policisë, ndërsa mes të tjerash rrëfeu se si “bosi i bosëve,” Toto Riina porositë shampanjë franceze për të festuar vdekjen e Giovanni Falcone-s. Cancemi vdiq në arrati në vitin 2011.

Dainotti njihej nga armiqtë e tij me pseudonimin Gano di Magonza (Ganelon), që është emri i kalorësit, i cili tradhëtoi ushtrinë e Charlemagne, duke e dorëzuar atë tek Muslimanët.

Personazhi letrar, emri i të cilit rrjedh nga fjala italisht inganno, që do të thotë gënjeshtër ose mashtrim, u dënua nga poeti i njohur Italian, Dante që të vuante në përjetësi me tradhëtarët e tjerë, në rrethin e nëntë të ferrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat