Policia britanike: Sulmi ishte vetëvrasës

Evropë

Policia britanike: Sulmi ishte vetëvrasës

Më: 23 maj 2017 Në ora: 09:08
Manchester

Sipas të dhënave të fundit të policisë britanike, shpërthimi në Mançester është kryer nga një atentator vetëvrasës. Atentatori hodhi veten në erë, kur spektatorët po dilnin nga arena. Gjermania reagon e tronditur.

Shpërthimi që ndodhi në koncertin e popit të këngëtares, Ariana Grande në Mançester të hënën në orët e vona, sipas të dhënave të fundit të policisë britanike është kryer nga një atentator vetëvrasës. Atentatori hodhi veten në erë në kohën, kur spektatorët po dilnin nga arena e Mançesterit.

Ky person e ka pasur në trup lëndën shpërthyese, bëri të ditur drejtori i policisë së Mançesterit, Ian Hopkins, të martën (23.05) në mëngjesin e së martës. Bashkë me atentatorin, numri i viktimave të tjerra rritet në 22 vetë, ndër ta edhe disa fëmijë. Policia u shpreh, se duhet zbuluar, nëse ky person ka vepruar i vetëm, apo nëse pas tij fshihet një rrjet i caktuar. Mediat bëjnë të ditur, se përkrahësit e të  ashtuquajturit "Shteti Islamik" kanë festuar në rrjetet sociale, megjithëse deri në orët e para të së martës askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Reagime pas sulmit në Mançester

Reagime të tronditura vijnë pas sulmit në Mançester. Presidenti francez, Emmanuel Macron shprehu ngushëllimet më të thella për britanikët. Qeveria e Parisit do të vazhdojë të bashkëpunojë me britanikët në luftë kundër terrorizmit, thuhet në një deklaratë të presidencës franceze. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert shkroi në Twitter: "Lajme të tmerrshme nga Mançesteri. Jemi me mendje e zemër tek viktimat dhe të plagosurit, tek ata që humbën e kërkojnë të afërmit". Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel e cilësoi sulmin "si të tmerrshëm. Gabriel shkroi se "mendimet tona janë tek mikeshat e miqtë tanë britanikë. Qëndrojmë të bashkuar."

Fushata zgjedhore ndërpritet

Në Britaninë e Madhe u ndërpre fushata zgjedhore, si nga kryeministrja Theresa May, ashtu edhe nga kreu i laburistëve, Jeremy Corbin. Koncerti i këngëtares, Ariana Grande u ndërpre dje vonë (22.05) nga atentati. Grande është veçanërisht e preferuar tek rinia dhe adoleshentët. Arena e Mançesterit ka kapacitet për 21.000 vetë.

Ky atentat është sulmi më i rëndë terrorist nga viti 2005 në Britaninë e Madhe, kur katër atentatorë vetëvrasës në autobusët dhe metrotë e Londrës vranë 52 vetë. Vetë këngëtarja, ariana Grande shkruan e tronditur në Twitter: "Nuk kam fjalë, më vjen tmerrësisht keq"./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat