Një gjykatë në Turqi dënoi një gjykatës të Kombeve të Bashkuara me shtatë vjet e gjysmë burg, nën akuzat se është anëtar i një organizate terroriste.
Agjencia e lajmeve Anadolu tha se gjykata në Ankara i ka shqiptuar dënimin Aydin Sefa Akayt, shtetas turk.
Akay, gjykatës në Mekanizmin e OKB-së për Tribunalin Ndërkombëtar në Hagë, është arrestuar në shtator.
Gjykata e OKB-së tha se Akay është dënuar nën akuzën se është anëtar i organizatës FETO, për të cilën Turqia thotë se është terroriste dhe se mbështet klerikun fetar, Fethullah Gulen.
Ankarja e akuzon Gulenin për orkestrimin e një përpjekjeje për grushtshtet në Turqi, korrikun e kaluar.
Gulen e mohon përfshirjen.
Gjykata në Hagë po ashtu tha se arrestimi dhe procedurat ligjore kundër Akayt e shkelin ligjin ndërkombëtar, pasi ai duhet të gëzojë imunitet diplomatik.