Merret vendimi i arbitrazhit për demarkacionin Kroaci-Slloveni

Evropë

Merret vendimi i arbitrazhit për demarkacionin Kroaci-Slloveni

Më: 29 qershor 2017 Në ora: 15:29
Ilustrim

Gjykata e Arbitrazhit në Hagë sot ka marrë vendim për çështjen e mospajtimeve rreth kufirit mes Kroacisë dhe Sllovenisë.

Ky vendim është pritur me vëmendje të posaçme në Kosovë, për shkak të problematikës së demarkacionit me Malin e Zi.

Arbitrazhi ka marrë parasysh kufijtë kadastralë për të cilët ka thënë se “parimisht i paraqesin edhe kufijtë shtetërorë”.

“Kufijtë kadastralë duhet të përputhen me kufijtë e republikave. Kufiri i çdo shteti duhet të definohet me kufijtë e komunave, të cilat definohen me anë të distrikteve të brendshme kadastrale”, ka thënë gjyqtari Gilbert Guillaume.

“Duke e pranuar këtë terminologji, Tribunali ka analizuar nëse kufijtë kadastralë aktualë janë në këto përmasa, e pastaj i ka analizuar edhe burimet historike. Në rastet kur nuk mund të përcaktohet pronësia, Tribunali sjell vendim në bazë të efektshmërisë së qeverive lokale”.

Sipas këtij vendimi, kufiri ndërshtetëror në lumin Sava do të kalojë mespërmes lumit.

Sa i përket Gjirit të Piranit, Gjykata ka marrë vendim se edhe ndarja e tij duhet të bëhet me parimin e ndarjes tokësore, pra me “uti possidetis”, sipas vijave ekzistuese.

Ky vendim është obligativ për të dyja palët.

Më 4 nëntor 2009, dy shtetet iu kishin drejtuar procesit të arbitrazhit. Kroacia dhe Sllovenia e kontestonin vijën kufitare ndërshtetërore afër Gjirit të Piranit.

Gjatësia detare e kufirit të kontestuar është rreth 4 kilometra .

Dy shtetet kanë pasur kontest edhe për 1 hektar tokë me një kishë në mes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat