Opozita turke akuzon qeverinë për minim të demokracisë pas puçit të dështuar

Evropë

Opozita turke akuzon qeverinë për minim të demokracisë pas puçit të dështuar

Më: 15 korrik 2017 Në ora: 23:10
Puçi ne Turqi

Dy partitë opozitare turke akuzuan sot Qeverinë e Turqisë për minim të demokracisë dhe kritikuan ashpër për shkak të lëshimit historik të rastit që të bashkojë vendin pas puçit të dështuar një vit më parë.

Lideri i Partisë republikane popullore (CHP) Kemal Kilicdaroglu tha se tentimi për grusht-shtet më 15 korrik 2016 nuk është hetuar në tërësi, transmeton AP.

Ai kritikoi  qeverinë për shkak se gjendja e jashtëzakonshme, e vendosur pas puçit të dështuar, është bërë “afatgjate”.

Zëvendës lideri i partisë tjetër opozitare (HDP), Ahmet Yildirim tha se cak i qërimit të hesapeve pas puçit të dështuar ishin njerëz të institucioneve, të cilët ishin kundër grusht-shtetit dhe nuk ishin anëtarë të partisë në pushtet.

Dymbëdhjetë deputetë të HDP-së ndodhen në burg, duke përfshirë edhe dy zyrtarë të lartë të partisë.

Kilicdaroglu dhe Yildirim kanë folur në një seancë të veçantë të parlamentit turk, kushtuar njëvjetorit të puçit të dështuar ushtarak, shkruan AP. Pjesëtarë të padëgjuar të ushtrisë turke tentuan natën ndërmjet 15 dhe 16 korrikut 2016 të rrëzojnë nga pushteti presidentin Recep Tayyip Erdogan. Ata u nisën me tanke, aeroplanë dhe helikopterë kundër institucioneve më të larta shtetërore, dhe bombarduan Parlamentin e Turqisë dhe ndërtesat tjera shtetërore. Ata u ndaluan nga forcat lojale të Erdogan dhe qytetarët, të cilët dolën në rrugë. Në përleshje janë vrarë mbi 250 persona dhe mbi 2 mijë të tjerë janë lënduar.

Pas dështimit të puçit dhe vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme, në Turqi janë arrestuar rreth 50.000 njerëz dhe janë shkarkuar rreth 100.000 zyrtarë shtetërorë, përfshirë edhe 4.200 gjyqtarë dhe prokurorë.

Për organizimin e puçit të dështuar qeveria turke ka akuzuar lëvizjen e Fetullah Gulen, i cili jeton në SHBA.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat