Koment: Skenar tmerri për demokracinë e Polonisë

Evropë

Koment: Skenar tmerri për demokracinë e Polonisë

Më: 19 korrik 2017 Në ora: 10:04
Ilustrim

Partia në pushtet nacional-konservatore në Poloni, "E drejta dhe drejtësia" po e riorganizon krejtësisht drejtësinë. Në kundërshtim me pohimin e saj, mendon Bartosz Dudek nuk është fjala që "gjyqet t'i kthehen popullit."

Me qirinj në duar, mijëra polakë u mblodhën para Gjykatës së Lartë të Polonisë në Varshavë. Me flamuj kombëtarë bardh e kuq dhe me flamuj blu e verdhë të Bashkimit Evropian ata u mblodhën për të dhënë një sinjal kundër reformës së planifikuar të drejtësisë të qeverisë. Në fasadën e ndërtesës, demonstruesit projektuan parullën: "Kjo është gjykata jonë".

Pamjet impresionuese nuk mund të të gënjejnë, që pesë deri dhjetë mijë demonstruesit e mbledhur sipas vlerësimeve janë një bilanc modest për një metropol me gati dy milionë banorë. Dhe në të gjitha sondazhet, partia nacionalkonservatore në pushtet merr mbështetje më të madhe se partia më e rëndësishme e opozitës, Platforma Qytetare (PO) me 22 deri 25 përqindët e saj. Nuk është për t'u çuditur atëherë, që PiS dhe pushtetmbajtësi i mirëfilltë, Jaroslaw Kaczynski ndihen mjaft të sigurtë për të reformuar sipas përfytyrimeve të veta, pas reformës së diskutueshme të Gjykatës Kushtetuese, edhe Gjykatën e Lartë dhe juridiksionin e rregullt të gjykatave.

Image
Bartosz Dudek

Pretekste jo të besueshme

Në këtë kuadër, përmenden argumenta, të cilat të bëjnë skeptik: gjykatave u mungon legjitimiteti demokratik, thuhet. Gjykatësit krijojnë një lloj shteti në shtet, veç kësaj atyre u mungojnë "cilësitë morale" të nevojshme. Ato kryejnë vepra penale, por mbulohen nga kolegët. Prandaj, emërimi i gjykatësve më të lartë, në të ardhmen, do të jetë në kompetencën e ministrit të Drejtësisë dhe të Këshillit Kombëtar të Drejtësisë, të reformuar në përputhje me këto përfytyrime.

Nuk mund ta mohosh, që në shumë shtete demokratike, politikanët zgjedhin gjykatës. Por si gjithmonë, rëndësi kanë detajet. Kështu në SHBA vërtet është Presidenti që vendos, se kush duhet ta zërë një vend të lirë në "Supreme Court". Por zgjedhja e tij bëhet e vlefshme vetëm kur jep miratimin senati, me dy të tretat e votave. Me fjalë të tjera: kjo imponon një konsensus mbipartiak. Por një mekanizëm të tillë kontrolli, reforma e drejtësisë e PiS nuk ka parashikuar.

Thjesht interesa partiake

Praktika e deritashme e "votimeve të ngushta" nga ana e partive në pushtet në Poloni të sugjeron se me "legjitimim demokratik" kihet parasysh sjellja me detyrim në linjën partiake. Ngjashëm si në mediet publike, të cilat janë transformuar në instrument propagande të PiS me arsyetimin se synohet të garantohet "shummëllojshmëria e raportimit", edhe në këtë rast duhet pasur frikë se interesi i Jaroslaw Kaczynskit nuk është "kthimi i gjykatave te populli", si pohon ai, por konsolidimi i pushtetit të tij dhe i revolucionit konservator. Sepse në Poloni është Gjykata e Lartë ajo që konfirmon legjitimetin e zgjedhjeve parlamentare.

Nëse, siç është planifikuar, të gjithë gjykatësit e Gjykatës së Lartë do të dërgohen me ligj në pension të përkohshëm dhe do të zëvendësohen nga ushtarë besnikë të partisë, shtrohet pyetja se si do të vendosnin ata në rast të një disfate në zgjedhje të PiS. Përfytyrimi është një skenar tmerri për demokracinë. Prandaj të mbetet vetëm të shpresosh se mijëra vetët me qirinj në duar nuk dolën kot para Gjykatës së Lartë në Varshavë. /DW/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat