Gjykata e Hagës liron nga paraburgimi Stanishiqin dhe Simatoviqin

Evropë

Gjykata e Hagës liron nga paraburgimi Stanishiqin dhe Simatoviqin

Më: 26 korrik 2017 Në ora: 07:54
Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq

Gjykata e OKB-së liroi përkohësisht për pushimet e verës ish-krerët e sigurimit të shtetit në Serbi Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, të cilët po rigjykohen për krime lufte në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

Mekanizmi për Gjykatat Ndërkombëtare në Hagë ka liruar përkohësisht ish-shefat e sigurimit të shtetit serb Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, duke i lejuar ata të kthehen në vendin e tyre gjatë pushimeve verore të gjykatës.

Vendimi i gjykatës u mor më 19 korrik, por u bë i ditur vetëm të martën.

Të dy burrat do të transportoheshin në Beograd nën mbikëqyrjen e ministrisë së brendshme të Serbisë më ose pas 21 korrikut, thuhej në vendim.

Simatoviq do të duhet të kthehet në paraburgim në Holandë deri më 16 gusht, kur mbaron pushimi veror i gjykatës dhe Stanishiq më 27 shtator.

Sipas mjekëve në Hagë dhe Serbi, Stanishiq vuan nga një sëmundje kronike e aparatit tretës dhe depresioni.

Stanishiq dhe ndihmësi i tij në Sigurimit e Shtetit në Serbi, Franko Simatoviq, i njohur ndryshe edhe si Frenki, po rigjykohen në Mekanizmin për Gjykatat Ndërkombëtare në Hagë për persekutim, vrasje, dëbime dhe zhvendosje të dhunshme të civilëve kroatë dhe boshnjakë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.

Sipas akuzave, ish-shefi i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit në Serbi, Jovica Stanishiq dhe ndihmësi i tij Simatoviçi vunë në zbatim një sipërmarrje të përbashkët kriminale që synonte të dëbonte në mënyrë të përhershme dhe me dhunë popullsinë jo serbe nga pjesë të mëdha të Kroacisë e Bosnjës dhe Hercegovinës për të arritur dominim serb.

Stanishiq dhe Simatoviq deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit të kaluar pasi apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata vendosi më 15 dhjetor se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanishiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj./Birn/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat