BE: Betejë transatlantike lidhur me sanksionet amerikane kundër Rusisë

Evropë

BE: Betejë transatlantike lidhur me sanksionet amerikane kundër Rusisë

Më: 26 korrik 2017 Në ora: 11:22
Ilustrim

Derisa Dhoma Përfaqësuese e Kongresit të Shteteve të Bashkuara dje i ka miratuar bindshëm sanksionet e reja, më të ashpra, kundër Rusisë, Bashkimi Evropian duket se është i përgatitur për ta mbrojtur aftësinë e tij që të përcaktojë se çka është mirë për sigurinë e saj energjetike.

Rrjedhimisht, kur kemi të bëjmë me sigurinë energjetike dhe varshmërinë evropiane për gaz natyror nga Rusia, Brukseli e ka në mendje një mesazh për Uashingtonin: mos e bëni punën tonë çështje të juaj!

Kjo u bë evidente nga Komisioni Evropan derisa në Uashington është miratuar legjislacioni i sanksioneve të reja, më të gjëra, kundër Rusisë, për përzierje në zgjedhjet presidenciale amerikane në viti 2016, në të cilat triumfoi Donald Trump.

Një burim në Komisionin Evropian i afërt me shqetësimet aktuale të organit legjislativ të BE-së, i cili nuk ishte i autorizuar të shprehej për këtë çështje, i tha Radios Evropa e Lirë se me legjislacionin amerikan “përfshihen dispozita ose sigurime me të cilat mbrohen interesat energjetike të BE-së”.

Ky legjislacion është miratuar në Dhomën Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe tash pritet edhe kalimi në Senat, e pastaj do të arrijë në tavolinën e presidentit amerikan, Donald Trump, për nënshkrim.

Komisioni Evropian, para se legjislacioni të miratohej në Shtetet e Bashkuara, ishte shprehur i gatshëm për hakmarrje, nëse paraqitet e domosdoshme, për mbrojtjen e bizneseve dhe aftësinë e Brukselit për t’i përcaktuar vetë politikat energjetike me Rusinë, pa përzierjen e Shteteve të Bashkuara ose përpjekjet për paraqitjen e fuqisë si furnizues me energji.

Një tjetër burim në Komisionin Evropian, duke folur po ashtu në kushte anonimiteti, ka sugjeruar se “BE-ja do të pres me ndërmarrjen e masave reale, derisa legjislacioni amerikan të nënshkruhet nga Presidenti”.

Pas votimit, Shtëpia e Bardhë tha se “derisa Presidenti i mbështet sanksionet e ashpra kundër Koresë Veriore, Irani dhe Rusisë”, ai po e shqyrton këtë legjislacion dhe po pret ta ketë verzionin final, që kalon në Senat, para se të vendos për ta nënshkruar ose për t’i dhënë veto.

Në thelb të mospajtimit ndërmjet vetë shteteve anëtare të BE-së është furnizimi me gaz natyror, ndërsa disa vendeve, kryesisht nga Evropa Qendrore dhe Lindore, e dënojnë varshmërinë e tepërt nga importet ruse dhe kërkojnë shumëllojshëmri më të gjërë të furnizimeve.

Sanksionet e reja amerikane kundër Rusisë, kanë shkaktuar shqetësime në Evropë, për shkak të mënyrës se si Presidenti do të ketë autoritet të imponojë kufizime kundër çfarëdo kompanie që i ndihmon projektet e sistemit të gypave për eksport nga Rusia, që mund të ketë ndikim në furnizuesit evropianë për projektin e propozuar Rrjedha Veriore 2, që është një zgjerim i kontestueshëm i gypsjellësit të mbështetur nga Brukseli, që e furnizon Evropën Perëndimore me gaz nga Rusia.

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë qëndrimit të tij të fundit në Evropë, i ka promovuar furnizimet amerikane si mjet për kundërshtimin e varshmërisë evropiane nga gazi rus.

Në këtë kuadër, zoti Trump ka marrë pjesë në takimin në Varshavë “Tri Nismat Detare”, që është një projekt polako-kroat për forcimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë në mesin e 12 shteteve të BE-së, që varen nga gazi rus, në afërsi të Detit Adriatik, atij Baltik dhe Detit të Zi.

Trump promovon gazin amerikan në Evropë

Duke folur në këtë tubim më 6 të këtij muaji, zoti Trump tha se “nëse ju duhet energji, vetëm na thirrni neve”. Këto komente i kanë shtuar dyshimet në mesin e disa vendeve evropiane se Uashigntoni i sheh sanksionet kundër Rusisë si mënyrë për hapjen e tregut evropian për gazin natyror në gjendje të lëngët (LNG) që transportohet nëpër Atlantik.

Christian Egenhofer, ekspert i energjisë në institutin CEPS, me seli në Bruksel, shpjegon se Departamenti amerikan i Shtetit për një kohë të gjatë është shprehur i shqetësuar se varshmëria e madhe ndaj gazit rus, mund të krijojë çështje të sigurisë në Evropë.

“Argumenti është se kur ju jeni shumë të varur, atëherë kjo e bënë më të vështirë imponimin e sanksioneve në rast se diçka shkon gabimisht”, tha Egenhofer dhe ka shtuar se “kthesa e re tash lidhet me mundësinë e furnizimit me gaz nga Shtetet e Bashkuara në formën LNG”.

Judy Dempsey, eksperte në institutin Carnegie Europe, është e ashpër në vlerësimin e saj se si Komisioni Evropian dhe disa vende evropiane, siç janë Gjermania dhe Austria, i perceptojnë sanksionet e reja amerikane kundër Rusisë.

“Ato e shohin këtë si përpjekje flagrante për t’i përdorë sanksionet për dobësimin e kompanive evropiane, nëse me të vërtetë, importi i gazit rus reduktohet në mënyrë drastike për shkak të këtyre masave”, thotë Dempsey.

Mëtutje ajo shprehet se “siç është tash, amerikanët ishin shumë aktivë në përpjekje për eksport të gazit natyror të lëngët në Evropë dhe këtë e shohin si rast shumë të mirë tash”.

Por, Brukseli konsideron se projekti, Rrjedha Veriore 2, do të sjellë gaz rus në Gjermani nëpër sistem të gypave nën det, duke i anashkaluar shtetet Baltike dhe Poloninë, si mënyrë për të siguruar furnizim të vazhdueshëm të gazit natyror të lirë.

Por, në legjislacionin dypartiak për sanksione kundër Rusisë të Shteteve të Bashkuara, theksohet se Rrjedha Veriore 2 ka “ndikim të dëmshëm në sigurinë energjetike të Bashkimit Evropian, në zhvillimin e tregut të gazit në pjesën Qendrore dhe Lindore të Evropës dhe në reformat energjetike në Ukrainë”.

Këto shqetësime janë në harmoni me ato që janë shprehur nga disa shtete anëtare të BE-së, por ato nuk konsiderohen të tilla nga i gjithë blloku./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat