Rrjedhja e të dhënave të qytetarëve, largohen 2 ministra

Evropë

Rrjedhja e të dhënave të qytetarëve, largohen 2 ministra

Më: 27 korrik 2017 Në ora: 17:30
ilustrim

Dy ministra të qeverisë suedeze do të largohen nga posti pas skandalit të rrjedhjes së të dhënave të qyetarëve të vendit, por kryeministri Stefan Lofven deklaroi se pavarësisht krizës, qeveria e tij e pakicës nuk do të japë dorëheqjen

Njoftimi erdhi në vazhdën e thirrjeve të bllokut kryesor opozitar për një mocion mosbesimi, si dhe dorëheqjen e tre ministrave të përfshirë në aferë.  “Nuk kam ndërmend ta zhys Suedinë në krizë politike. Ndaj sot po deklaroj këtu riorganizimin e kabinetit tim”, tha Lofven.  

Të larguarit mbanin portofolet e Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Infrastrukturës. Ndërsa ministri i Mbrojtjes do ta ruajë pozicionin e tij, pavarësisht presionit të opozitës. 

Fillesat e atij që do të kthehej në një ortek për qeverinë suedeze janë në 2015-n, kur Agjencia vendase e Transportit, STA, nisi bazën e re të dhënave jashtë vendit dhe menaxhimin e shërbimeve IT ua besoi kompanive private, si IBM-së në Republikën Çeke dhe NCR-së në Serbi.  

Se çfarë ndodhi më vonë nisi të dalë në dritë vetëm tani. 

Procesi i kontraktimit u përshpejtua sipas disa raporteve në media, duke anashkaluar ligjet dhe procedurat e brendshme, ndërsa individë jashtë kufijve që nuk ishin të pajisur me certifikata sigurie kishin në ngarkim servera me informacione mbi lejet e drejtimit të suedezëve, si dhe infrastrukturës vendase të transportit.  

Shembull ilustrues është ai i tre punonjësve të IT-së nga Çekia, që kanë pasur qasje në dy baza të dhënash të përdorura prej policisë suedeze për të verifikuar aplikimet e patentës.  Vetë Lovfen e cilësoi episodin një katastrofë, duke pranuar se Suedia dhe qytetarët e saj ishin ekspozuar kësisoj ndaj rreziqeve të ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat