Lidhje të ngushta mes politikës dhe industrisë së automobilave

Evropë

Lidhje të ngushta mes politikës dhe industrisë së automobilave

Më: 2 gusht 2017 Në ora: 09:48
Ilustrim

Pas skandaleve në industrinë e automobilëve qeveria po mendon të ndërmarrë masa. Por pa këtë industri Gjermania nuk do të ishte më shtet drejtues në ekonomi.

Industria e automobilëve është industri kryesore në Gjermani. "Ne kemi nevojë për një industri të fuqishme dhe inovative automobilësh, por edhe të ndershme," tha zëdhënësja e qeverisë gjermane, Ulrike Demmer, në fillim të javës në lidhje me takimin që do të zhvillohet mes përfaqësuesve të industrisë së prodhimit të automjeteve dhe atyre të qeverisë gjermane. Ajo tha se vërtet gjërat që janë për t'u kritikuar, duhet të kritikohen, por gjithmonë me vetëdijen se kjo është një industri me rëndësi strategjike për Gjermaninë."

Shifrat janë të njohura: industria e automobilëve në Gjermani ofron 800.000 vende direkte pune dhe ajo kontribuon me pothuajse një të pestën e numrit të përgjitshëm të eksporteve. Këtyre u shtohen edhe më shumë se gjysmë milioni vende pune indirekte që varen nga prodhimi i automjeteve. Në rastin e Gjermanisë mund të thuhet se pa koncernet automobilistike si Volkswagen, Mercedes dhe BMW, Gjermania nuk do të ishte më shtet drejtues në ekonomi.

Lidhje të forta mes politikës dhe industrisë

Në këtë kontekst nuk janë të rralla rastet kur ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të qeverive gjermane janë bërë lobiistë kryesorë të industrisë së automobilëve ose janë anëtarë të bordeve drejtuese të këtyre koncerneve. Ose anasjelltas që ish-lobiistët apo anëtarët e bordeve të koncerneve automobilistike të jenë bërë kenë marrë poste të rendësishme në qeveri.

Ministrja e Ambjetit Barbara Hendricks, tha para takimit me përfaqësues të industrisë së prodhimit të automjeteve se në të kaluarën "shteti shpesh nuk ka ruajtur distancë prej industrisë së prodhimit të automjeteve".

Image

Koncernet e prodhimit të automjeteve janë edhe sponsorizues të rregullt të partive. P.sh. në muajin prill koncerni Daimler Benz u dhuroi dy partive të mëdha CDU dhe SPD nga 100.000 euro, gjë që e bën prej vitesh. Por edhe partitë e tjera si Të Gjelbërit kanë marrë sponsorizime prej koncerneve të industrisë së prodhimit të automjeteve.

Politika u vjen shpesh në ndihmë koncerneve

Sipas organizatës "Greenpeace" kjo ka bërë që politika t'u vijë shpesh në ndihmë koncerneve të industrisë së prodhimit të automjeteve duke u krijuar kushte favorizuese për prodhimin e automjeteve të motorë të fuqishëm, që sjellin edhe shumë përfitime për koncernet, por dëmtojnë ambjentin.

Kjo ka bërë që Gjermania të jetë tepër larg qëllimit që deri në vitin 2020 në Gjermani të jenë në përdorim rreth një milionë makina elektrike. Tani që janë shtuar problemet me ndotjen e ambjentit të shkaktuar nga gazrat e automobilëve, qeveria gjermane dhe koncernet e industrisë së prodhimit të automjeteve do të diskutojnë për mundësitë për minimizimin e emisioneve të gazrave dhe të filtrave për automjetet dhe se si mund të realizohet kalimi nga automjetet tradicionale me nafte apo bezinë, në automjete me bateri elektrike./DW/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat