Padrejtësitë e RDGJ: Burgu i Stasit në Hohenschonhausen

Evropë

Padrejtësitë e RDGJ: Burgu i Stasit në Hohenschonhausen

Më: 12 gusht 2017 Në ora: 09:27
Arno Drefke - ish i burgosur në burgun e Stasi-t

Kancelarja Angela Merkel vizitoi të premten ish-burgun e Sigurimit të Shtetit të RDGJ, Stasi, në Berlin. Midis 1946 dhe 1990 në këtë burg u ndaluan mijëra të burgosur. Ajo u takua edhe me ish-të burgosurin, Arno Drefke.

Image
Kancelarja Angela Merkel viziton burgun e Stasi-t, Hohenschonhausen

Ai vazhdon të jetë i frikshëm e impresionues - burgu qendror hetimor i Sigurimit të Shtetit të ish-RDGJ, Stasi. Mijëra të burgosur politikë kanë qenë të burgosur këtu. Si 83 vjeçari Arno Drefke, të cilin Stasi e arrestoi kur ishte i ri.

"Kjo ishte koha më e keqe. Kjo qeli e vogël këtu në arrest të izoluar, pa pasur mundësi për të folur me askënd, përveçse me hetuesin dhe i izoluar krejt nga bota, të mos shohësh asnjë të burgosur tjetër, asnjë letër, asnjë gazetë, asnjë libër", kujton sot Drefke.

Ai sapo ka mbushur 19 vjeç kur e akuzojnë për spiunazh. Me tortura psikike dhe fizike, prej të burgosurve, gjoja nazistëve dhe opozitarëve të dyshimtë, merreshin pohime dhe pranime.

Image
Burgu i Stasi-t, Hohenschonhausen

Drefke kujton me tmerr marrjet në pyetje natën. "Dhe pastaj marrjet në pyetje natën, të cilat përdoreshin vazhdimisht që të mos arrije të flije gjumë. Ditën qe e pamundur të flije. Pas tri ditësh unë isha i shkatërruar nga nervat dhe i tregova gjithçka hetuesit."

Sigurimi i Shtetit ishte instrumenti më efektiv i Partisë shtet, SED, për ta siguruar sundimin e saj. Pesë dekada pas arrestimit të tij, te Arno Drefke kanë mbetur shumë pyetje pa përgjigje. Njëra nga pyetjet është se pse duhet të nënshkruhej urdhërarresti i tij nga një person me pozitë kaq të lartë sa Ministri për Sigurimin e Shtetit, Erich Mielke.

"Pas kthesës politike unë e pashë për herë të parë urdhërin tim të arrestit", tregon Arno Drefke. "Dhe u habita, që urdhëri për arrestin qe nënshkruar nga Erich Mielke dhe sipër mbante shënimin "dokument i klasifikuar sekret". Pse të kategorizohej urdhëri i arrestit si "dokument i klasifikuar sekret"? Tek të gjitha urdhërat e tjerë të arrestit nuk e kemi një gjë të tillë. Pse më futën në një dhomë izolimi?"

Image
Kullë vrojtimi në burgun e Stasi-t, Hohenschonhausen

Në vitin 1962, një vit pas ndërtimit të Murit, i cili e ndau Gjermaninë në Lindje dhe në Perëndim, Drefken papritur e lirojnë. Qelitë e burgut nevojiten për numrin e madh të të burgosurve të rinj. Por rinia e tij kish kaluar, për të mos u kthyer më.

"Për herë të parë këtu erdha në vitin 1992, sepse ky vend u hap për publikun. Erdha me gruan dhe pas kësaj e ndjeva veten kaq keq, sepse shihja ëndrra të frikshme natën. Mua ata më arrestonin kohë pas kohe. Kisha spazma me të bërtitura dhe shpesh ime shoqe detyrohej të më zgjonte nga gjumi."

Pesë dekada pas arrestit të tij, Arno Drefken ende e mundojnë kujtimet për Hohenschonhausen. Vizitat e shpeshta të tij me familjen këtu, tregimet e tij për klasat me nxënës bëjnë efekt terapie për të. Por disa gjëra kanë humbur përgjithmonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat