Greqia në flakë, digjen qindra hektarë pyje

Evropë

Greqia në flakë, digjen qindra hektarë pyje

Më: 14 gusht 2017 Në ora: 13:50
Ilustrim

Dëme të pallogaritshme kanë shkaktuar zjarret e mëdha që kanë shkrumbuar mbi 1200 hektarë pyje në zonën lindore të Prefekturës së Atikës.

Megjithë përpjekjet e mbi 150 zjarrfikësve me 61 mjete dhe ndihmën e reparteve ushtarake dhe banorëve, flakët kanë djegur mbi 20 shtëpi në zonën Kalamo dhe më pas janë drejtuar si pasojë e erërave të fuqishme në fshatrat Varnava, Metohi, Gramatiko, Kapandriti dhe Sesi.

Organet vendore kanë kërkuar nga qeveria që në të gjithë zonën Oropi, ku ndodhen këto fshatra, të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

“Është një rrëmujë e tmerrshme. Të shohësh se si digjen shtëpi, se si vrapojnë njerëzit të dëshpëruar… Të shohësh një kaos e asgjë tjetër. Ishte një zjarr shumë i fuqishëm”, thotë një banore e Kalamos.

Kryeministri grek ka kërkuar nga ministri i Mbrojtjes së Qytetarit mobilizim të përgjithshëm të të gjithë forcave zjarrfikëse në të gjithë vendin. Ky i fundit ka deklaruar gjatë ditës së dielë se shumica e vatrave të zjarrit janë akte të qëllimshme të zjarrvënësve.

Katastrofë e madhe nga zjarret është regjistruar edhe në ishullin e Zakinthosit, ku flakët vazhdojnë të djegin sipërfaqe pyjore për të katërtën ditë rresht.
Kryebashkiaku i ishullit, i cili ka deklaruar se edhe aty zjarret janë të qëllimshme pasi flakët kanë shpërthyer në 20 vende të ndryshme njëkohësisht, ka kërkuar të shpallet Zakinthosi në gjendje të jashtëzakonshme.

Orët e fundit, zjarre kanë shpërthyer edhe në dy ishujt e tjerë të Detit Jon, në Kefaloni dhe Korfuz.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat