Përpjekja për të shpëtuar gruan nga terroristi i kushtoi shtrenjtë

Evropë

Përpjekja për të shpëtuar gruan nga terroristi i kushtoi shtrenjtë

Më: 19 gusht 2017 Në ora: 14:13
Hassan Zubier

Gjatë sulmit të përgjakshëm të ditës së djeshme në Turku të Finlandës, një prej viktimave, Hassan Zubier, 45 vjeç, është goditur me thikë në mënyrë të përsëritur, ndërsa përpiqej të ndihmonte një grua të plagosur, e cila ndërroi jetë në krahët e tij.

“Po shëtisnim rreth sheshit kur papritmas dëgjuam dikë duke bërtitur. U ktheva. Pashë një djalë duke goditur një grua me thikë, ndërsa ajo gjendej në tokë. Nxitova ta ndihmoja dhe u përpoqa t’i ndaloja gjakderdhjen,” tha Zubier për të përditshmen suedeze, Expressen, nga spitali i Turku.

Autori i sulmit u kthye për të goditur të dashurën e Zubier, por ky i fundit nxitoi për ta shpëtuar, duke u goditur dy herë me thikë. Më pas sulmuesi u largua, ndërsa suedezi u kthye tek gruaja e plagosur, për të cilën besonte se po vdiste në tokë.

“U përpoqa t’i ndaloja gjakderdhjen nga fyti, por ai më goditi sërish me thikë. Gruaja ishte plagosur aq shumë sa vdiq në krahët e mi,” shtoi ai.

Zubier tregoi që është goditur në qafë, në kraharor, në anë të kraharorit dhe në shpatullat e tij.

“Dora ime e majtë është dëmtuar rëndë. Më është dëmtuar një nerv dhe nuk është e sigurt nëse ata do të mund të ma shpëtojnë krahun.”

Zubier dhe e dashura e tij ishin në pushime në Turku dhe po planifikonin të merrnin një anije lundrimi për t’u kthyer në Stokholm, mbrëmjen e së premtes.

Nga sulmi, ku një person godiste me thikë kalimtarët në Sheshin e Tregut, u vranë 2 persona dhe të paktën 8 të tjerë mbetën të plagosur.

Policia mbërriti brenda 3 minutash dhe e ndërpreu këtë sulm që nisi në orën 04:02, duke goditur me armë në këmbë agresorin dhe duke e arrestuar.

Kryeprokurori Markus Laine tha se janë arrestuar disa persona, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar të ketë lidhje me këtë sulm.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat